Pas dështimit të dy kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, Eugen Cakolli nga KDI, ka komentuar zhvillimet në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar procesin si pjesë të një manovrimi politik nga Lëvizja Vetëvendosje.
As Donika Gërvalla nuk merr votat e mjaftuara për tu bërë kryetare e Kuvendit
Në FIVE të TV Dukagjinit, Cakolli ka thënë se ndërrimi i kandidatëve nga Vetëvendosje, në parim, mund të shihej si një hap pozitiv për gjetjen e një figure që do të siguronte votat e nevojshme, por sipas tij, kjo u shoqërua me veprime që binin ndesh me këtë qëllim.
“Ndërrimi i kandidat ndonëse në parim është hap i mirë, besoj unë ne funksion të gjetjes së një kandidature që do t’i ketë kishte votat. Besoj që u shoqërua pastaj me një veprim që binte në kundërshtim me qëllimin e ndryshimit të kandidatit. Meqenëse propozimi i Donika Gërvalles pa një marrëveshje e duke e ditur që PDK dhe AAK e kanë bërë të qartë se nuk do të votojnë asnjë prej individëve që janë pjesë ose kanë qenë pjesë e ekzekutivit.
Përderisa LDK e ka bërë të qartë se nuk do të votojë për askënd. Është thjesht vazhdim i lojës dhe vazhdim i lojës dhe ngërçit politik. Sepse ka qenë e qartë se nuk mundet të ketë votë të suksesshme për asnjë prej kandidaturave, për aq kohë sa nuk ka marrëveshje politike. Apo nuk propozohet ndonjë prej 35-6 deputetëve të VV-së që nuk kanë qenë në pozita ministrore”, ka thënë Cakolli.
Ai shtoi se situata e krijuar në Kuvend pas dy votimeve të dështuara dhe vendimi i kryesuesit Avni Dehari për ta ndërprerë seancën pas tentativës së dytë, lë të kuptohet si një veprim i qëllimshëm politik nga Vetëvendosje.
“Për më tepër ajo çka ngjau sot në Kuvend, ishte e çuditshme edhe në kuptim të menaxhimit të seancës. Sepse e pamë zotin Dehari i cili ndonëse bëri mirë që i kërkoi serish VV-së të propozojë kandidaturë. Ishte e paqartë se pse, mbi çfarë baze vendoi ta ndërpresë seancën pas përpjekjes së dytë… kjo lë shije të një manovrimi të VV-së, sa për tu dukur në publik se janë të interesuar për të gjetur një kandidaturë të tillë, ndërsa kur të shihet se kush ishte kandidatura, që vlen të theksohet që nuk o votua as nga të gjithë deputetët e VV-së, tregon që nuk ishte e sinqerte dhe as e njëmend”, ka shtuar Cakolli.