Konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar pas vdekjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, gjatë sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit të shtunën.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ishte koha që iranianët të rrëzonin qeverinë.
Irani është përgjigjur me nisjen e raketave dhe dronëve nëpër rajon, duke synuar Izraelin, Bahrainin, Kuvajt, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë, Arabinë Saudite, Qipron dhe anijet që kalojnë në ngushticën e Hormuzit.
Grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollah, ka nisur sulme me raketa drejt Izraelit nga bazat e tij në Liban. Izraeli ka reaguar duke goditur objektiva të Hezbollahut në Liban.
SHBA dhe Izraeli nisën sulme të gjera të shtunën, duke goditur infrastrukturën raketore, bazat ushtarake dhe udhëheqësit e lartë iranianë. Khamenei, i cili udhëhoqi Iranin që nga viti 1989, u vra kur kompleksit i tij në Teheran iu bë bombardim gjatë valës së parë të sulmeve.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se dhjetëra figurat e larta politike dhe ushtarake iraniane, përfshirë sekretarin e Këshillit të Mbrojtjes, Ali Shamkhani, ministrin e Mbrojtjes Aziz Nasirzadeh dhe komandantin e IRGC-së, Gjeneral Mohammad Pakpour, janë vrarë. IRGC-ja emëroi komandantin e ri të përgjithshëm, Ahmad Vahidi.
Sipas njoftimit të Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane, tashmë rreth 787 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i sulmeve.
Autoritetet iraniane raportojnë se një sulm në një shkollë pranë një baze të IRGC-së vrau mbi 150 persona, përfshirë fëmijë.
Interneti në Iran është pothuajse plotësisht i bllokuar dhe hapësira ajrore është e mbyllur, por ushtria iraniane ende ka kapacitet për sulme hakmarrëse.
SHBA dhe Izraeli kryen sulme të tjera të dielën, duke goditur kryeqytetin dhe vende të tjera. Presidenti Trump tha se selia detare iraniane ishte shkatërruar. Sipas Komandës Qendrore të SHBA (Centcom), 11 anije iraniane u fundosën në Gjirin e Omanit, duke lënë Iranin pa anije në zonë.
Trump tha se qëllimi i operacionit është të “sigurohet që Irani të mos pajiset me armë bërthamore”.
Ai paralajmëroi forcat e armatosura iraniane të dorëzojnë armët për “imunitet të plotë” ose të përballen me “vdekje të sigurt”. Ai u bëri thirrje iranianëve të përgatiten për të rrëzuar regjimin: “Kur të mbarojmë ne, merrni qeverinë tuaj. Do të jetë mundësia juaj e vetme për gjenerata”.
Operacioni masiv ushtarak – i quajtur nga SHBA “Epic Fury” – erdhi pas javësh kërcënimesh nga Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake nëse Irani nuk pranonte një marrëveshje të re bërthamore. Irani ka deklaruar se aktivitetet e tij bërthamore janë plotësisht paqësore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli dhe SHBA kanë nisur operacionin për të eliminuar kërcënimin ekzistencial nga regjimi terrorist iranian. Ai hodhi poshtë pretendimet se Izraeli kishte nxitur SHBA-në në luftë.
Irani ka përshkruar sulmet amerikano-izraelite si “të paarsyetuara, të paligjshme dhe ilegale” dhe ka kryer sulme të gjera hakmarrëse në rajon, duke përdorur raketa balistike dhe dronë ndaj Izraelit, vendeve me lidhje me SHBA, një baze britanike në Qipro dhe anijeve pranë bregdetit iranian.
Shtetet e Bashkuara konfirmuan se tre avionë amerikanë u rrëzuan mbi Kuvajt në një incident “miqësor”, por pilotët mbijetuan. Gjashtë ushtarë amerikanë kanë humbur jetën që nga fillimi i konfliktit, ndërsa 18 të tjerë janë plagosur rëndë.
Ambasada amerikane në Riad u godit nga dy dronë, duke shkaktuar zjarr të kufizuar dhe dëme materiale të vogla.
Grupi libanez Hezbollah sulmoi Izraelin nga Libani, duke detyruar IDF të godasë objektiva në Beirut dhe jugun e Libanit, raporton BBC.
Autoritetet libaneze raportojnë dhjetëra të vrarë dhe të plagosur, ndërsa Izraeli urdhëroi evakuimin e banorëve nga 50 fshatra për përgatitje ndaj sulmeve të mëtejshme.
Si po ndikon lufta në ekonomi dhe në çmimet e energjisë?
Konflikti ka ndikuar gjithashtu në ekonominë dhe çmimet e energjisë. Kompania shtetërore e Katarit ndaloi prodhimin e gazit të lëngshëm natyror për shkak të sulmeve iraniane, duke çuar në rritje prej 50% të çmimit të gazit.
Dronët iranianë sulmuan rafinerinë Ras Tanura në Arabinë Saudite, duke shkaktuar mbyllje të pjesshme, ndërsa Irani paralajmëroi anijet të mos kalojnë në ngushticën e Hormuzit.
Çmimet globale të naftës dhe gazit u rritën ndjeshëm, me Brent-in ndërkombëtar që arriti përkohësisht 82 dollarë për fuçinë.