Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike agjendën e aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 5,6 dhe 7 mars.
Sipas agjendës, më 5 mars, në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë mësimore do t’i kushtohet Epopesë, njofton Dukagjini.
Në po të njëjtën ditë duke filluar nga ora 09:00, Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhjen solemne teksa nga ora 12:00 do të ketë seancë solemne në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendet Komunale.
Në ora 12:00 do bëhet rreshtimi i kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa me fillim nga ora 14:30, do mbahen garat mbarëkombëtare të volejbollit për femrat “Adem Jashari” në Skenderaj.
Më 6 mars, e premte, krerët e shtetit duke filluar nga ora 10:00 do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz për të vazhduar me përfaqësuesit komunalë që nga ora 10:00 deri në ora 12:00, do zhvillohen homazhe në Komplekset Memoriale të Dëshmorëve.
Në ora 13:00 do hapet ekspozita “Tri ditë që ndryshuan historinë” e organizuar nga Kuvendi i Kosovës.
Ndërsa duke filluar nga ora 19:00 do mbahet akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së dhe në ora 21:00 përmbyllet ceremonia.
Ditën e fundit, më 7 mars, zhvillohet Nata e Zjarreve në Prekaz me fillim nga ora 18:00.
Në ora 18:15 do ndizen flakadanët në shtatë rajonet e Kosovës ndërsa në ora 19:00 do të ketë program artistik në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.