Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot(e hëne) aktgjykimin e plotë lidhur me bllokadën në Kuvendin e Kosovës.
Në vendimin e datës 8 gusht, Kushtetuesja përcakton se deputetët janë të obliguar ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh. Njëkohësisht, theksohet se i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tre herë, ndërsa të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në procesin e votimit.
Gjykata ka konstatuar se deputetët e Kuvendit nuk kanë zbatuar aktgjykimin e mëparshëm të 26 qershorit 2025, dhe për këtë arsye të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
”128. Përfundimisht, Gjykata konstaton që (i) deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25 pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor; (ii) veprimet e Kryesuesit të Seancës Konstituive nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 të Kushtetutës; dhe (iii) të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 duhet të shpallen të pavlefshme”.
Në aktgjykim po ashtu thuhet se kryesuesi i Seancës Konstituive, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit 2025 dhe se veprimet e tij bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata ka urdhëruar që në seancën e ardhshme të Kuvendit të vazhdohet me pikën 3 të rendit të ditës – procedimin e votimit për kryeparlamentar.
”129. Bazuar në konstatimet e saj, Gjykata, në kuptim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KO124/25 pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor se (i) deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25 dhe (ii) veprimet e Kryesuesit të Seancës Konstituive të Kuvendit nuk janë në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës, dhe si rrjedhojë është shkelur paragrafi 1 i nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat konstatime rezultojnë në shpalljen e pavlefshme të të gjitha seancave të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025. Rrjedhimisht Gjykata vlerëson që Kryesuesi i Seancës duhet të vazhdojë me pikën 3 dhe 4 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, që përmban zgjedhjen e Kryetarit/es dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe në mungesë të konsensusit për votim të mbyllur, procedura duhet të vazhdojë me votim të hapur”, thuhet në Aktvendimin e publikuar sot.
Për një kandidat për kryetar të Kuvendit në pikën 149 të Aktvendimit thuhet se mund të votohet deri në tre herë.
”149. Në këtë kontekst, Gjykata konsideron që propozimi i vazhdueshëm për votim të
kandidatit/es së njëjtë për Kryetar/e të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar
nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit që do të pamundësonte arritjen e shumicës
së votave të të gjithë deputetëve. Për këtë qëllim, Gjykata vlerëson që përcaktimi i një
mekanizmi debllokues për propozimin e kandidati/es për Kryetar/e të Kuvendit
konsiderohet si i domosdoshëm dhe në mënyrë thelbësore do t’i shërbente përmbushjes së
detyrimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e funksionimit të tij si organ
përfaqësuesi i sovranit. Në dritën e këtij elaborimi, Gjykata vlerëson që në rast të dështimit
të arritjes së shumicës së votave të të gjithë deputetëve për zgjedhjen e Kryetarit/es të
Kuvendit, votimi i kandidatit/es të propozuar për Kryetar/e të Kuvendit mund të realizohet
vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.
Si përfundim, thuhet: ”160. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton që Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë. Rrjedhimisht, Gjykata në vijim përcakton që deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi”.
Masa e përkohshme e vendosur më herët ka mbetur në fuqi deri në publikimin e këtij aktgjykimi dhe deri në botimin e tij në Gazetën Zyrtare.
Gjatë periudhës 15 prill – 26 korrik, deputetët mbajtën gjithsej 54 vazhdime të seancës konstituive, por nuk arritën të zgjedhin kryetarin. Nga 1 maji, kryesuesi Dehari ndryshoi rendin e ditës, duke anashkaluar votimin e hapur dhe duke propozuar formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë. Kjo u kundërshtua nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat refuzuan të propozonin anëtarë për komisionin.
“Me publikimin e aktgjykimit të plotë – dhe sapo ai të botohet edhe në Gazetën Zyrtare, mbase deri nesër – duhet të thirret seanca e radhës e Kuvendit”, ka shkruar në Facebook Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.