Punëtorët e Trafikut Urban paralajmërojnë protestë për nesër– Sindikata: As ministri Murati, as kryetari Rama nuk dhanë zgjidhje

Në një linjë direkte në FIVE, Ilmi Gashi nga Sindikata e Trafikut Urban ka bërë të ditur se situata e ndërmarrjes mbetet e rëndë dhe se protestat do të vazhdojnë, pasi as Qeveria e Kosovës dhe as Komuna e Prishtinës nuk kanë ofruar zgjidhje për krizën financiare.

Gashi tha se sot punëtorët protestuan fillimisht para Komunës së Prishtinës, ku kryetari Përparim Rama i njoftoi lidhur me mungesën e buxhetit. Më pas, protestuesit u drejtuan bashkërisht drejt objektit të Qeverisë.

Ai theksoi se ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka ftuar në takim vetëm përfaqësuesit e sindikatave, por jo edhe përfaqësues të komunës.

“Gjatë diskutimit vumë re se nuk ka ndonjë mundësi ose lëshim që mund të bëhet mirë për Trafikun… prej z. Murati jemi kthyer prapë te kryetari Rama dhe as aty nuk gjetëm mirëkuptim, sepse tha që s’ka fuqi me ba diçka tjetër… paratë që janë alokuar nga ministria janë pjesë e vogël që nuk e mbulojnë shumën vetëm të Trafikut Urban, le më të tjerat”, tha Gashi.

Sipas tij, edhe Komuna e Prishtinës nuk ka mundur të ofrojë zgjidhje konkrete, ndërsa punonjësit janë duke u përballur me kushte të vështira financiare.

Për këtë arsye, sindikatat kanë vendosur të vazhdojnë me protesta.

“Në ndërkohë, Shoqata Sindikale e Trafikut Urban dhe sindikatat private vendosëm që nesër të protestojmë me forma të tilla te objekti i Komunës, e cila do të fillojë në orën 9:00”, deklaroi Gashi.

Protesta e së nesërmes pritet të jetë vazhdim i presionit ndaj institucioneve, të cilave punonjësit e Trafikut Urban i kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme financiare.

Të fundit nga rubrika