Anëtarë të Rinia Demokratike e Kosovës kanë zhvilluar sonte një aksion simbolik para Qeveria e Kosovës, në shenjë proteste kundër ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe paralajmërimeve për rritjen e radhës së çmimit të saj.
Gjatë aksionit, përfaqësuesit e RDK-së vendosën para ndërtesës së Qeverisë një batanije dhe disa qirinj, si simbol i pakënaqësisë ndaj, siç u tha, deklaratave provokuese dhe të papërgjegjshme të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili ka fajësuar qytetarët për krizën energjetike duke pretenduar se “po ngrohen më shumë sesa që duhet”.
Në deklaratën për media, sekretari i RDK-së, Altin Gjata, tha se aksioni nuk ka të bëjë me statistika apo propagandë, por me realitetin e përditshëm të qytetarëve të Kosovës. Ai theksoi se kriza energjetike dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme po i detyrojnë familjet të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit, ndërsa studentët të mësojnë në errësirë.
Sipas Gjatës, pyetja që qytetarët po e shtrojnë sot është e thjeshtë dhe legjitime: edhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike? Ai kritikoi ashpër Qeverinë për bllokimin e qindra milionë eurove investime në energji të pastër dhe për dështimin në sigurimin e prodhimit vendor të mjaftueshëm, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për krizë dimri, por për krizë menaxhimi dhe papërgjegjësie.

Gjata shtoi se, pavarësisht premtimeve për një modernizim historik të KEK-ut, sot prodhimi është më i ulët, importet janë rritur dhe përfitimet, sipas tij, po shkojnë tek të preferuarit e pushtetit. “Faturën e kësaj krize po e paguajnë familjet tona dhe çdo qytetar i Kosovës”, u shpreh ai, duke shtuar se batanija dhe qirinjtë e vendosur para Qeverisë janë një “dhuratë” simbolike për kryeministrin në detyrë, i cili, sipas tij, nuk e ndien barrën e faturave mujore dhe të ngrohjes së familjeve.
Në fund, Rinia Demokratike e Kosovës theksoi se energjia elektrike është shërbim bazë dhe jo biznes për të lidhurit me pushtetin, duke shtuar se qytetarët meritojnë dritë, ngrohje dhe siguri, dhe se nuk do të heshtin përballë kësaj gjendjeje.
“Edhe sa, Albin? Edhe sa përqind do të rritet rryma?”, ishte mesazhi përmbyllës i aksionit simbolik.