Qentë endacakë sulmojnë mjeken shtatzënë në QKUK, Rama kërkon mbështetje nga qeveria

Një doktoreshë e Klinikës Interne në QKUK është sulmuar nga qentë endacak mëngjesin e kësaj të premteje. Doktoresha, që është shtatzënë, është në gjendje stabile, por edhe një herë tjetër, është ngritur shqetësimi për prezencën e qenve endacak në hapësirat e Qendrës, për çka kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka kërkuar ndihmën e qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi

Rreth orës 8 të kësaj të premte doli nga klinika ku punon.

Por doktoresha e internës u sulmua nga qentë endacak brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Si rezultat, iu nënshtrua trajtimit të menjëhershëm në Emergjencë.

Por mjekimin e plagëve që ia shkaktuan qentë endacak, po e bënë më të vështirë fakti se doktoresha e hospitalizuar është shtatzënë në muajin e gjashtë.

Si rezultat, është pamundësuar injektimi eventual i vaksinës qe jepet pas kafshimit nga qentë endacak.

Nga QKUK përmes një përgjigje me shkrim për televizionin bënë të ditur gjendjen shëndetësore të pacientes.

Menjëherë pas ngjarjes, ekipet mjekësore të Qendrës Emergjente, kanë ofruar ndihmën e nevojshme shëndetësore. Aktualisht pacientja është nën përkujdesje profesionale në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe gjendja e saj është stabile, sipas mjekëve.”- Qendra Klinike e Universitare e Kosovës

Ankesat në lidhje me praninë dhe rrezikun nga qentë endacak, siç shprehen nga QKUK, tash e disa herë i kanë dorëzuar tek Komuna e Prishtinës.

Të rrezikuar nga prania e qenve endacak brenda QKUK-së janë edhe qytetarët.

“Duhet me marr masa rreptësisht sepse edhe ne po jemi këtu me të sëmurë e po dalim me ble gjëra që po kemi nevojë edhe po kemi frikë nga qent endacak sepse para një muaji edhe një motër e kanë sulmu ajo ende nuk është në punë”, ka thënë Saime Gagica, qytetare.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Enver Hasani.

“Këtu më të rrezikuar janë stafi mjekësor sidomos gjinia femërore edhe fëmijët që vijnë këtu sepse ne prap ndoshta mundemi me u mbrojt”, ka thënë Enver Hasani, qytetar.

Për këtë situatë që s’po ndodh për herë të parë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama fajin po e lë tek niveli qendror.

“është dasht me i dhënë 9 milion që ka thënë që do i jap qysh para katër vitesh edhe deri tash ka dhënë zero dhe Prishtina ka bë më shumë se çdo komunë, ne po vazhdojmë me kapjen, kastrimin dhe sterelizimin e qenve endacak edhe me i çu për adaptim por vynë ndihmë nga niveli qendror”, ka thënë Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.

Rama i bëri thirrje qeverisë që t’i mbështesë.

“QKUK është e menaxhume nga niveli qendror pra ata duhet vet me pa sa e rëndësishme është me zgjedh këtë problem dhe nuk bëjnë asgjë tash e katër vite sa jam unë këtu, kështu që publikisht i kërkoj nivelit qendror që të meren dhe t’i ndihmojnë edhe komunave tjera jo vetëm Prishtinës”, ka thënë Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.

Nga shtatori i 2024-tës, Komuna e Prishtinës ka hapur një qendër strehimi për qentë endacak dhe subvencionimin për adoptuesit e qenve, megjithatë, ata vazhdojnë të jenë prezentë në shumicën e hapësirave të kryeqytetit, sikur edhe në komunat e tjera.

Të fundit nga rubrika