As edhe një fjalë nuk është thënë nga akterë qeveritarë tash që kanë kaluar mbi 24 orë që kur ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier ia dha një goditje Ekzekutivit.
Një ditë më parë diplomati amerikan nuk la asnjë fije dyshimi, duke konfirmuar se tashmë çështja e dinarit ka prekur negativisht marrëdhëniet Kosovë-SHBA.
Por nga ndalimi i dinarit nuk duhet të hiqet dorë thotë analisti politik Gazmir Raci, ani pse Amerika po flet për zbehje marrëdhëniesh.
Ai kërkon nga Qeveria të gjejë një formë që, siç thotë marrëdhëniet me SHBA-në ti ruajë si “sytë e ballit”.
“Marrëdhënia jonë me SHBA-të të ruhet si sytë e ballit dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse kemi një partneritet strategjik, të definuar qartë me Shtetet e Bashkuara por në asnjë moment ne nuk mund të bëhemi kurban i Serbisë, deri sa Serbia të vendosë ndonjë ditë të kthehet nga perëndimi, në kuptimin që Kosovës shumë më lehtë mund ti vendosen sanksione sepse nuk ka alternativë tjetër”, ka deklaruar Raci.
Se Kurti po luan rrezikshëm e thotë edhe profesori universitar Faton Ismajli.
Veçse sipas tij, tashmë kryeministri nuk do të tërhiqet pasi do ta dëmtonte atë në elektorat.
“Duket se qeveria është duke e shfrytëzuar këtë moment të sanksioneve, për ti kryer edhe disa punë të saj, duke shpresuar se nuk do të ketë më sankione të tjera. Ajo që rrezikojmë është acarimi edhe më tutje me amerikanët, Kurti ka një qasje konfrontuese me amerikanët, nëse ju kujtohet deklarata e tij kur e quajti Blinkenin naiv”, ka deklaruar Ismajli.
Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan ns Prishtinë të enjtën u bënë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me SHBA-në pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.