Qeveria e Kosovës: Vendimi për mbajtje të zgjedhjeve të Serbisë, do të jetë në përputhje me Kushtetutën

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është e informuar për një kërkesë nga Qeveria e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve të saj në territorin e Kosovës. Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se përgjigja do të bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe do të përfshijë analizën e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit me Serbinë

Një qytetar serb duke votuar në Graçanicë për zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë më 2016.

Qeveria e Kosovës ka thënë se është në dijeni të një kërkese për mbajtje të zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, dhe përgjigjja e saj do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se në hartim e sipër të përgjigjes, do të analizohen edhe marrëveshjet e Brukselit, të arritura mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i kanë thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se më 3 nëntor, misioni në Kosovë e ka pranuar kërkesën prej Qeverisë së Serbisë që të përfshihet në mbledhjen e votave të banorëve të Kosovës me dy shtetësi, për zgjedhjet në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka shpallur zgjedhjet e përgjithshme për 17 dhjetor të këtij viti.

Në përgjigje është thënë se OSBE-ja e ka informuar Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat tjerë relevantë për këtë kërkesë, dhe se mbështetja e institucioneve të Kosovës është thelbësore për OSBE-në që të përfshihet në një organizim të tillë zgjedhor.

“Misioni e ka informuar Qeverinë e Kosovës për këtë kërkesë dhe në parim është gati për t’i mbledhur votat sipas kushteve të njëjta, bazuar në praktikat e së kaluarës. Këto kushte përfshijnë miratimin prej dy palëve dhe ofrimin e sigurisë përfshirë prej Policisë së Kosovës”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë e mbledhjes së votave nga OSBE-ja në Kosovë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë deri vitin e kaluar.

Më 2022, zyrtarë të partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje patën thënë se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë direkte Kosovës për mbajtje të këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.

Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë për të votuar.

Në janar të atij viti, Kuvendi i Kosovës pati miratuar edhe një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e QUINT-it (Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës) dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje miratimin e rezolutës.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe, shkruan REL.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur disa herë se Kosova nuk dëshiron t’ua pamundësojë të drejtën e votës qytetarëve të Kosovës me dyshtetësi, por që nuk mund të veprohet në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe prej vitit 2011 është e angazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika