Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e parë ku ka miratuar disa marrëveshje financiare, të cilat tashmë do të procedohen për ratifikim në Kuvend.
Një nga projektligjet kryesore është Ratifikimi i Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore, me vlerë totale prej 90.3 milionë euro.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se periudha e kthimit është 12 vjet dhe me normë interesi zero për qind.
Marrëveshja pritet të ratifikohet nga Kuvendi deri më 13 shkurt, data e fundit e parashikuar për këtë proces.
Përveç kësaj, qeveria ka votuar pro dhe ka proceduar tutje në Kuvend edhe disa marrëveshje të tjera:
“Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (ZKM)
Projektligji Nr. 09/L-003 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian (MF)
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin KOMPAS-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë (MF)
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin” Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës (MF)”.
