Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme pritet të ndajë buxhet për pagat e Radio Televizionit të Kosovës.
“Që në muajin gusht ne bëmë një zgjidhje të përkohshme duke dhënë over-draftin për RTK-në me shpresën që pas konstituimin e kuvendit dhe formimin e komisioneve parlamentare. Ne nuk i kishim votat e mjaftueshme pasi partitë tjera refuzuan kategorikisht pagat për RTK-në. Siç e edhe e ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalë nga kjo situatë”, u shpreh Kurti.
Gjatë mbledhjes të enjten, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se ndarja e mjeteve do të bëhet nga kategoria e kursimeve.
“Në këtë mbledhje mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Pra, kjo zgjidhje e sotshme, apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar aty buxhetin për RTK-në”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete janë marrë nga kursimet për projekte ekzistuese, pa çka nuk kaloi pa fajësuar partitë opozitare që nuk pranuan ta themelojnë Komisionin për Buxhet.
“4 milionë e 480 mijë euro për transmetuesin publik, të cilat është dashur të merre si kursime nga projektet ekzistuese në kuadër të organizatave tjera buxhetore për shkak se në Kuvend nga partitë opozitare u refuzua që të kryhen detyra, pra të themelohet komisioni për buxhet dhe kësisoj të votohej edhe buxheti i RTK. Në pamundësi që të sigurohen pagat e punëtoreve tash e sa kohë nga ana e Kuvendit që është si themelues i RTK-së na është dashtë ne si Qeveri të marrim këtë hap improvizues në mënyrë që të gjendet një mënyrë urgjente dhe të sigurohen pagat”, tha Murati.