Profesori i integrimeve evropiane, Gazmend Qorraj, ka deklaruar se fokusi i Kosovës nuk duhet të jetë vetëm te heqja e masave të Bashkimit Evropian, por te angazhimi real dhe i vazhdueshëm në procesin e integrimit evropian.
Në emisionin FIVE, Qorraj tha se mënyra se si institucionet e Kosovës e kanë trajtuar procesin e integrimit ka dhënë mesazhe të gabuara politikisht.
“Nuk mendoj se vetëm heqja e këtyre masave ose fokusimi në to është aspekti kryesor për Kosovën. Ka pasur një Ministri të Integrimeve, e cila më vonë është mbyllur dhe transformuar, ajo është një mesazh që nuk ka qenë politikisht e pjekur ose nuk e ka parë procesin e integrimit evropian si të rëndësishëm në formë reale dhe klasa politike dua të them që nuk e kanë njohur procesin e integrimit shumë mirë”, ka deklaruar Qorraj.
Ai theksoi se klasa politike në Kosovë, sipas tij, nuk e ka njohur mjaftueshëm procesin e integrimit evropian dhe sfidat që ai përfshin.
“Është shumë e vështirë të përfitohet nga ky proces, sepse kërkon shumë punë. Në zgjedhjet e fundit, partitë politike shumë pak e kanë përmendur integrimin evropian,” u shpreh ai.
Sipas Qorrajt, pavarësisht masave dhe aspekteve të tjera politike, Kosova duhet të vazhdojë punën dhe reformat, pasi procesi i integrimit ofron edhe shumë mundësi të tjera për vendin.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka nisur heqjen graduale të masave ndaj Kosovës.