Propozimi i KESCO-s për ngritje të tarifave të energjisë elektrike, i bëri bashkë qytetarët në një protestë para zyrave të kësaj kompanie.
Protestuesit e cilësuan të papranueshme një rritje tjetër eventuale të çmimit të rrymës, duke thënë se ajo nuk është luks.
Pakënaqësi u shprehën edhe ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji – e cila sipas protestuesve po i shërben kompanive private KESCO dhe KEDS.
“Duke e parë që ZRRE-ja i shërben KEDS-it e jo popullit, na jemi të sigurt që ZRRE-ja ka me e miratu këtë kërkesë të KEDS-it. Pra, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë me vazhdu me i pagu faturat e fryra të KEDS-it, përderisa xhepat e tyre janë tu u varfëru dhe niveli i jetesës ka me ra”, u shpreh Anila Nikaj – nga këshilli organizativ i protestës.
Teksa thanë se nuk do ta pranojnë “hilen e radhës” që do t’i varfërojë edhe më shumë qytetarët, protestuesit paralajmëruan edhe bojkot të pagesës së faturave.
“Ju nuk mund të vazhdoni ta vidhni këtë populli, të cilit veçse ia keni vjedhë një pjesë të aseteve më jetike. Nuk mund të vazhdoni të na i faturoni neve, dështimet e dëshirat e juaja për rritje mbi trupat tanë. Tash e sa vjet ju nuk jeni në shërbimin tonë, jeni kundër nesh, jeni fajdexhinjtë tanë më të mëdhenj”, tha protestuesi, Erblin Ajdini.
Protestuesit hodhën tymues në shkallët në oborrit e KESCO-s, të cilin sigurimi e ktheu prapë drejt turmës.
Në tollovinë e krijuar tutje Policia arrestoi një të moshuar, gjë që irritoi protestuesit.
Qytetarët vazhduan marshin rrugëve dhe shesheve deri para Qeverisë.
Aty ata akuzuan pushtetin aktual se nga kundërshtar, sa ishte në opozitë, “u bë argat i KEDS-it e KESCO-s”, teksa shpalosën tri kërkesa.
“Parandalimi i rritjes abuzive të çmimit nga KEDS-i, sepse qytetarët nuk ia kanë borxh fitimin KEDS-it. Kërkesa e dytë, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë duhet të shkarkohet Bordi i ZRRE-së, i cili po i shërben KEDS-it e jo qytetarëve. Dhe kërkesa e tretë, duhet të hapet debati dhe të fillojë procesi i shtetëzimit të KEDS-it”, tha protestuesi, Egzon Hajdari.
Organizatorët paralajmëruan vazhdimin e protestave, ndërkohë që vijon procesi i shqyrtimit tarifor në kuadër të të cilit KESCO, si Furnizues i Shërbimit Universal, ka propozuar rritje çmimit të rrymës për 21.3%.