Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e radhës u shpreh se rreth 80 mijë e 659 qytetarë kanë votuar deri në ora 11:00 në 18 komunat ku po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
Radoniqi, mes tjerash, u shpreh se deri tani nuk është evidentuar ndonjë parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve, njofton Dukagjini.
“Bazuar në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit deri në këtë fazë po zhvillohet normalisht. Deri më tani nuk janë evidentuar parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve. KQZ është në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore në terren, me qëllim që të sigurohet zbatimi i plotë i ligjit dhe respektimi i rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit. Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 95% e Vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 në këto 18 komuna është 80 mijë e 659 votues apo 6.13%, nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues”, tha Radoniqi.
Sipas tij, deri në të njëjtën kohë, në raundin e parë, në këto 18 komuna, kishin votuar 7.58% apo 99 mijë e 765 votues nga 1 milion e 316 mijë e 129 votues.
“Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi mund t’i gjeni në platformën e rezultateve”, u shpreh Radoniqi.