Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë thirrje publike drejtuar kryetarëve të komunave të tjera në Kosovë që të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha në sheshet e qyteteve, në mënyrë që qytetarët të mund ta ndjekin së bashku ndeshjen vendimtare të Kosovës në rrugëtimin drejt Botërorit.
Sipas Ramës, atmosfera e krijuar pas fitores në Bratislava ka rritur ndjeshëm besimin e qytetarëve dhe ka bashkuar vendin në një emocion të përbashkët, ndërsa ndeshja e radhës shihet si moment historik për futbollin kosovar.
Ai thekson se për shkak të kapaciteteve të kufizuara të Stadiumit “Stadiumi Fadil Vokrri”, jo të gjithë tifozët do të mund të jenë të pranishëm në tribuna, ndaj zgjidhja më e mirë është organizimi i transmetimeve publike në sheshe.
“Le të kthejmë çdo shesh në një tribunë mbështetjeje dhe çdo qytet në një zë të vetëm për përfaqësuesen tonë,” ka theksuar Rama.
Kosova e siguroi kalimin në finale të plejofit pas shkëlqimit në Bratislavë të Sllovakisë.
“Dardanët” mposhtën Sllovakinë, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, me rezultat 4:3.
Kosovës i duhet një fitore ndaj Turqisë më 31 mars në “Fadil Vokrri” për ta fituar biletën për Botërorin që këtë vit mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.