Pas protestës dy orëshe të punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur keqardhje dhe ka theksuar se bllokada vjen nga Qeveria, konkretisht nga Ministria e Financave.
Ai u zotua se është i gatshëm të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati kudo dhe kurdo për të gjetur një zgjidhje.
“Ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen kryeqytetit prej ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Dje ishim edhe me protestuesit përpara Ministrisë së Financave, përpara Qeverisë ku unë kërkova takim urgjent me ministrin e kryeministrin, por ata refuzuan të takohen. Jam edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë dhe ta zhbllokojmë këtë proces. T’i lëmë prapa politikat bllokuese të mbrapshta, fondet që na takojnë me ligj të transferohen menjëherë e të dalin pagat. Jam i gatshëm për çfarëdo mënyre alternative që ta zgjidhim këtë problem e të zhbllokohet procesi. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, menjëherë mund të bëhet nga ministri. Fondet janë tonat, nuk ka asnjë bazë ligjore që t’i mbajë peng”, ka thënë Rama në konferencë për media.
Ai ka theksuar tashmë zgjedhjet lokale kanë përfunduar dhe fondet për kryeqytetin duhet të bartën në llogaritë e Komunës, duke garantuar pagesën e punëtorëve dhe mbylljen e krizës.
“35 milionë që i mbajnë të bllokuara ligji ekziston i cili mundëson të bëjnë këtë transfer janë paratë e kryeqytetit, i vetmi problem është puro politike nuk e di se çfarë kalukime kanë bërë por jam i sigurt që nuk iu del mirë. Lutja ime për Hekuran Muratin është e thjesht sa mundohesh me hedh hi syve qytetarëve me tema tjera, foksohu në temën relevante. Po luajnë me neve me familjet tona me fëmijët tanë”, ka deklaruar Rama.