Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për Lumir Abdixhiku në postin e kryeministrit, duke theksuar rëndësinë e ardhjes së LDK-së në qeveri për zhvillimin e kryeqytetit dhe të gjithë vendit.
Sipas Ramës, me LDK-n në qeverisje, Prishtina do të përfitojë rreth 1.5 miliard euro investime, të cilat pritet ta transformojnë rrënjësisht qytetin dhe të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve.
Ai ka theksuar se kryeqyteti po hyn në një fazë të re zhvillimi.
Rama ka bërë të ditur se këto investime do të mundësojnë realizimin e projekteve madhore dhe jetike, si Unaza e Kryeqytetit, Fshati Olimpik, Spitali i Kryeqytetit dhe Eco Industrial Park, duke krijuar kushte për infrastrukturë moderne dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ai ka shtuar se fokusi do të jetë edhe në ndërtimin e rrugëve të reja, avancimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe cilësor, si dhe në mbështetjen e drejtpërdrejtë për të rinjtë dhe industrinë kreative.
Në fund, kryetari i Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që besimin e dhënë në kryeqytet ta shtrijnë në nivel vendi, duke e cilësuar këtë si një moment historik për Kosovën dhe duke ftuar për mbështetje ndaj LDK-së dhe votimin e saj.