Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Vjena ku po merr pjesë në konferencën “Shqipëria, Horizonti i ri”, tha se Kosova nuk duhet të shqetësohet për veprimet e Serbisë, por të përqendrohet te detyrat e saj ndaj Bashkimit Evropian.
“Më trishton të shoh që nuk ka aspak përparim në këtë drejtim. Unë kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur se ka një rrugë shumë të qartë. Kosova nuk duhet ta mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet të dijë çka bën Serbia. Duhet të bëjë detyrat e veta dhe duhet t’i japë BE-së të gjithë atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të kërkojë të ec përpara.
Kjo nuk ka të bëjë me pranimin e asaj se çka kërkon Serbia, ka të bëjë me pranimin e asaj çka kërkon BE-ja. Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja është një dështim i madh sepse formati është i gabuar sepse është i bazuar në një parim shumë të thjeshtë: Vendet duhet t’i pranojnë kushtet që lidhen me vlerat e BE-së. Nëse Kosova e bën këtë, është në të mirën e saj, por nuk duhet ta lidhë me Serbinë”, ka deklaruar Rama.
Ai gjithashtu u shpreh optimist për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
“Jemi në një proces që ka përparuar shumë praktikisht, po çelim kapitujt e negociatave në një shpejtësi që s’është parë ndonjëherë më parë. Kjo është rezultat i meritës sonë dhe i qasjes së re të BE-së për zgjerimin, për shkak të luftës në Ukrainë, që ka treguar rëndësinë e Evropës së bashkuar. Ballkani Perëndimor është pjesë natyrale e BE-së, dhe jam shpresëplotë se anëtarësimi do të ndodhë herët”, tha Rama.