Rama: Do të mbyllen të gjitha vendpunishtet në Prishtinë, krijohet komision emergjent

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se do të mbyllen të gjitha vendpunishtet në kryeqytet ku evidentohen shkelje, pas shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”.

Në një njoftim në Facebook, Rama ka bërë të ditur se ka mbledhur drejtorët komunalë dhe ka vendosur formimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishteve në territorin e Kryeqytetit”.

Sipas tij, komisioni do të përbëhet nga ekspertë të urbanizmit, inxhinierë të licencuar dhe përfaqësues të emergjencave, të cilët do të nisin menjëherë inspektimet në terren.

Rama ka theksuar se të gjitha vendpunishtet ku do të evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllen menjëherë dhe do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të çojë deri në revokim të lejes së ndërtimit.

Po ashtu, ai ka paralajmëruar se çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar parregullsi në terren do të mbajë përgjegjësi.

Të fundit nga rubrika