Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një fjalë në Parlamentin Evropian me rastin e përfundimit të mandatit të Presidentit të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, Oliver Röpke.
Ai tha se nuk kishte ardhur për të folur për shoqërinë civile, por për të nderuar një figurë që, sipas tij, e transformoi nga një skeptik në mbështetës të dialogut social.
Rama vlerësoi rolin udhëheqës të Röpke, duke e cilësuar si një lider që ka frymëzuar dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme.
“Është momenti për të kremtuar punën e një udhëheqësi të jashtëzakonshëm dhe për të reflektuar mbi rolin e Komitetit si një urë mes institucioneve dhe qytetarëve, pasi forca e Evropës qëndron tek pjesëmarrja dhe dialogu, jo vetëm tek debatet”, tha ai.
Duke iu referuar periudhës kur Röpke mori drejtimin e Komitetit, Rama solli në kujtesë se Shqipëria atëherë nuk kishte hapur ende asnjë kapitull negociues me BE-në, ndërsa sot është shumë pranë anëtarësimit.
Ai përmendi sfidat që ka kaluar Evropa, nga pandemia te lufta e agresionit rus në Ukrainë, dhe nënvizoi se gjatë kësaj kohe, Röpke solli qetësi, besim dhe bindje në rëndësinë e dialogut social.
“Ju këmbëngulët se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, duke e përfshirë shoqërinë civile në këtë proces. Ne jemi mirënjohës për këtë mbështetje”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria është në një “turbo sprint” drejt integrimit, pasi vetëm një ditë më parë hapi katër kapituj të tjerë negociues, përveç 24 tashmë të hapur.
Në mbyllje, Rama theksoi se “Evropa lulëzon kur është e fortë dhe e bashkuar”, duke e cilësuar mbështetjen e Röpke për rajonin si të çmuar dhe afatgjatë.