Gjatë qëndrimit të tij në Londër, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për programin “The World Tonight” në BBC Radio 4, ku komentoi mbi marrëveshjen me Britaninë për kthimin e emigrantëve shqiptarë dhe qëndrimin e tij kundër ngritjes së qendrave të kthimit në territorin shqiptar.
Rama theksoi se sukseset në bashkëpunimin me autoritetet britanike kanë ardhur si rezultat i shkëmbimit të drejtpërdrejtë të informacionit dhe veprimit të koordinuar midis dy vendeve.
“Ne jemi dy vende: sillni disa nga njerëzit tuaj në Shqipëri dhe ne nisim punën, dhe ne sjellim disa nga njerëzit tanë në Britani dhe nisim punën. Kështu krijuam praktikisht një ekip të përbashkët. Informacioni qarkullonte në kohë reale”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare sqaroi se, ndonëse ka një marrëveshje të veçantë me Italinë për trajtimin e azilkërkuesve, Shqipëria nuk do të pranojë kurrë ngritjen e qendrave të kthimit në territorin e saj.
“Me Italinë ishte një marrëveshje unike për shkak të marrëdhënies sonë shumë të veçantë. Ne i ofruam Italisë një copë toke tonën që të menaxhohej nga ata, si juridiksion italian. Por ideja e qendrave të kthimit nuk është zgjidhja”, theksoi ai.
Rama shtoi se zhvendosja e azilkërkuesve në vende të treta mund të ketë efekt parandalues, por nuk adreson shkakun e vërtetë të emigracionit.
Ai theksoi nevojën që Evropa dhe Britania të reflektojnë mbi rolin e emigracionit në shoqëritë e tyre të plakura.
“Në fund të ditës duhet të pyesim: a është imigracioni një problem apo pjesë e zgjidhjes? Unë besoj se është pjesë e zgjidhjes, sepse dimri demografik i Evropës dhe Britanisë është shumë i pranishëm”, tha Rama, duke shtuar se nevoja për fuqi punëtore është e madhe.
Sipas tij, emigracioni i paligjshëm dhe rrjetet e trafikimit mund të luftohen vetëm përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë dhe marrëveshjeve të ndërsjella midis vendeve të origjinës dhe atyre të destinacionit.
“Ana e errët e këtij fenomeni duhet trajtuar përmes marrëveshjeve ku të dyja palët fitojnë. Por, për fat të keq, jetojmë në një kohë kur zgjidhjet e dobëta mbizotërojnë për shkak të presionit të politikës që kërkon përçarje dhe kërkon gjak – në kuptimin simbolik”, u shpreh ai./AP