Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka kthyer përgjigje presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me ftesën për pjesëmarrje në Bordin e Paqes, duke e cilësuar nismën si një përpjekje të domosdoshme dhe me potencial transformues për paqen globale.
Në letrën e publikuar, Rama ka shprehur vlerësim për angazhimin dhe udhëheqjen e Trumpit në themelimin e Bordit të Paqes, duke e falënderuar për ftesën personale, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë si anëtare themeluese e kësaj nisme.
“Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht, e jo të pritet pasivisht apo të diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente”, ka shkruar Rama në letrën drejtuar Trumpit.
Kryeministri shqiptar ka theksuar se nisma synon jo vetëm adresimin e pasojave të menjëhershme të konflikteve, por edhe trajtimin e shkaqeve strukturore që prodhojnë paqëndrueshmëri dhe dhunë në nivel ndërkombëtar. Sipas tij, kjo qasje e dyfishtë i jep Bordit të Paqes potencialin që të shndërrohet në një model të ri dhe efektiv për ndërtimin e paqes globale.
Rama ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rolin që vende të vogla, por të angazhuara si Shqipëria, mund të luajnë në nisma që synojnë promovimin e paqes, dialogut dhe stabilitetit në arenën ndërkombëtare.