Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar sot se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje nuk do të ndalet, duke paralajmëruar një paketë të re masash për të frenuar këtë fenomen.
Sipas tij, ligji do të ashpërsohet ndaj fajtorëve dhe përgjegjësve në të gjitha nivelet.
Në një postim në rrjete sociale, Rama ka ndarë pamje nga shembja e një objekti në Kepin e Rodonit.
“Shembja e objekteve të paligjshme, që ka nisur kudo, nuk është një aksion i përkohshëm, por një proces i pandalshëm deri në eliminimin e këtij fenomeni. Ditët në vijim do të shoqërohet me paketën e re të masave për tkurrjen e këtij fenomeni, duke rritur forcën goditëse të ligjit mbi fajtorët dhe përgjegjësit në nivele të ndryshme, përfshirë edhe ‘symbyllurit’ në inspektoriate, polici e më tej”, është shprehur Rama.
Ai shtoi se ndërhyrja në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, synon të mbrojë një tjetër mrekulli të natyrës, e cila ishte abuzuar për qëllime fitimi nga ndërtimet e paligjshme.