Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për vizitë në Gjermani këtë të premte në kuadër të Berlin Global Dialogue (BGD).
Rama, në një intervistë nga Berlini, ka folur për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të cilin pati vetëm lëvdata duke thënë se ai po formëson epokën e re në botë, transmeton Dukagjini.
Rama, madje, u shpreh se Zoti kishte një plan për të dhe Amerikën prandaj e shpëtoi nga përpjekja e tmerrshme për ta vrarë teksa sipas tij Trump do ta shpëtoj Evropën.
“Nëse flasim për Evropën është që unë vazhdoj të besoj se kur Donald Trump tha, e ndoshta vazhdon të thotë, që Zoti kishte një plan për të dhe për Amerikën, prandaj dhe Zoti e shpëtoi nga përpjekja e tmerrshme për ta vrarë, unë mendoj që kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Sepse gjysma tjetër e së vërtetës është që Zoti e shpëtoi për të shpëtuar edhe Evropën, në kuptimin që Evropa duhet të mbledhë veten dhe duhet të kuptojë shpejt, sa më shpejt, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, që në qoftë se do të ruajë rëndësinë e saj, duhet të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë me shpejtësi, duke e nisur me reflektimin mbi atë çka ka ndodhur deri në zgjedhjen e Donald Trump dhe më pas përkundrejt luftës në Ukrainë dhe të pyesë veten në qoftë se ka një strategji të qartë për këtë dhe në qoftë se është e bëshme të vazhdojë t’i jashtë kontraktojë amerikanëve politikën e vetë të jashtme, e nëse është normale që të mos ketë vetë planin e saj të paqes”, tha Rama.