Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja, ka rrëfyer për përvojën e ditëve të para të bombardimeve të NATO-s në Kosovë.
Ai ka theksuar se në fillim ishte e vështirë të besohej se operacioni do të realizohej, edhe pas premtimeve nga konferenca e Rambujës dhe takimeve me zonjën Albright dhe gjeneralin Clark.
Buja ka treguar se NATO kërkonte nga Shtabi i UÇK-së identifikimin e caqeve, të cilat UÇK-ja i jepte me koordinata, dhe goditjet realizoheshin me përpikëri të jashtëzakonshme.
“Ne dëgjonim krisma e dridhje të tokës andej e këndej, pro është diçka që në fakt në një formë apo një tjetër Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtri tokësore e NATO-së një far forme, sepse shpesh herë për të mos thënë gjithmonë kërkoheshin caqe të caktuar për mundësi goditjesh dhe këtu angazhoheshin njerëzit tanë profesionistë”, ka deklaruar Buja.
“Strukturat tona operative ato caqe që kërkoheshin dhe mund të identifikoheshin nga anëtar i shtabit tonë dhe njerëz profesionistë u jepnin dhe kjo nuk shkonte shumë kohë dhe realizohej caku goditja, po ne i jepnim koordinatat, dhe realizohej me përpikëri të jashtëzakonshme”, ka deklaruar tutje Buja.
