Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka përgëzuar bashkëpunimin ndërmjet misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të operacionit të kërkim-shpëtimit të zhvilluar në Liqenin e Ujmanit, pas autorizimit nga Komandanti i KFOR-it për angazhimin e njësive të specializuara të FSK-së.
Në një postim në Facebook, Ambasada theksoi se ky operacion, që lidhet me rastin e një personi të zhdukur, është një dëshmi e aftësive të larta të FSK-së në fushën e kërkim-shpëtimit, si dhe një shembull i zbatimit të marrëveshjeve të kahershme ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së.

Ambasada gjithashtu ka lavdëruar rolin e KFOR-it në ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë tërë operacionit dhe ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës që humbi jetën në këtë rast.
“Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it, FSK-së dhe institucioneve të tjera të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, është thelbësor për suksesin e këtij misioni”, thuhet në deklaratë.