Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale: Kosova vendos për kryetarët në 18 komuna

17:15 – 26.77% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 17:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar të dhënat e pjesëmarrjes në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, të cilat po zhvillohen sot në 18 komuna të Kosovës.

Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në orën 17:00 nga 1,316,672 qytetarë të regjistruar në Listën e Votuesve, kanë votuar 352,413 persona, që përbën një pjesëmarrje prej 26.77%.

Nga gjithsej 1,628 vendvotime, janë përfunduar procesimi i 1,499, ose 92.08% e tyre.

16:35 – Pula: Dy raste penale gjatë ditës së zgjedhjeve, tre persona të ndaluar për ryshfet dhe cenim të fshehtësisë së votimit

Koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve janë evidentuar dy raste penale që lidhen me procesin e votimit, përfshirë ndalimin e tre personave.

Në një intervistë për emisionin special të TV Dukagjini, Pula konfirmoi se në komunën e Fushë Kosovës janë ndaluar dy persona nën dyshimin për veprën penale “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Ajo shtoi se një rast tjetër është regjistruar në komunën e Pejës, ku një person është ndaluar për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”.

“Deri më tani nuk kemi pas ndonjë incident shumë të madh, i cili do të evidentohej si rast eklatant gjatë ditës së zgjedhjeve. Është rasti në Fushë Kosovë, tanimë i ditur. Që dy persona janë të ndaluar për veprën penale dhënie dhe marrë ryshfeti. Vepër e cila ndëshkohet prej 1 deri në 5 vjet burgim. Personat janë ndaluar, do të vazhdojnë hetimet ndaj tyre. Dha pastaj do të shohim epilogun e këtij rasti.

E kemi edhe një rast në Komunën e Pejës. Njëjtë e kemi për veprën penale cenimi i fshehtësisë së votimit. Dhe personi është i ndaluar për 48 orë. I cili është duke u verifikuar të gjitha rrethanat e këtij rast. Këto janë dy rastet penale, me tre persona, për të cilët do të vazhdojnë hetimet në ditët në vijim…”, ka thënë Pula.

15:45 – Radoniqi: Nuk është shënuar ndonjë incident që rrezikon procesin zgjedhor (VIDEO)

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka mbajtur konferencën e radhës lidhur me procesin zgjedhor të balotazhit të kësaj të diele.

Radoniqi bëri të ditur se numri i votuesve nga 95 për qind e vendvotimeve ka shkuar në 223 mijë e 666 qytetarë ose 20.78 përqind, njofton Dukagjini.

Mes tjerash, Radoniqi bëri të ditur se deri tani nuk është shënuar ndonjë incident që do ta rrezikonte besueshmërinë e procesit zgjedhor.


15:20 – Deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 20% e qytetarëve

266 mijë e 731 persona ose 20,26 përqind kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, në 18 komunat e Kosovës që kanë shkuar në balotazh.

Komunat me daljen më të madhe në zgjedhje deri në orën 15:00 janë Mamusha, Juniku, Obiliqi, dhe Mitrovica e Jugut bashkë me Prishtinën.

Kujtojmë se raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,316,672 të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna.


14:40 – Këto janë komunat me daljen më të madhe të votuesve

177 mijë e 225 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, në 18 komunat e Kosovës që kanë shkuar në balotazh.

Komunat me daljen më të madhe në zgjedhje deri në orën 14:30 janë Mamusha, Juniku, Obiliqi, dhe Mitrovica e Jugut bashkë me Prishtinën.

Deri tani në Mamushë kanë votuar 1,782 persona, në Junik 1,377 votues, 5,658 në Obiliq, 15 mijë e 78 qytetarë kanë votuar në Mitrovicën e Jugut dhe 39 mijë e 70 votues kanë kryer obligimin deri tani në Prishtinë.

Kujtojmë se raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,316,672 të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna.

Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.


14:09 – Kaci Lleshi: Prishtinës s’i mungon asgjë – ka beton, qytetarëve u mungon gjithçka

Parukieri i njohur shqiptar, Kaci Lleshi, ka shfrytëzuar të drejtën e saj të votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale si banori i kryeqytetit.

Lleshi, në një lidhje direkte me gazetarin Butrint Pasjaqa në TV Dukagjini, u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë për atë që vlerësojnë se është kandidati më i mirë për ta dhe kryeqytetin.

Mes tjerash, Lleshi u shpreh se “Prishtinës s’i mungon asgjë se ka beton sa duash, por qytetarëve u mungon gjithçka prandaj duhet me votu”.


13:49 – Vetëvendosje akuzon LDK-në për presion ndaj votuesve në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj një rasti ku pretendojnë se ka shkelje të rregullave zgjedhore në një nga qendrat e votimit në kryeqytet.

Sipas njoftimit nga VV, rreth orës 10:30 minuta, tek hyrja e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, e cila është njëra ndër qendrat e votimit të Komunës së Prishtinës, është parë një person i identifikuar si Art Merkoja, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zyrtar në kabinetin e kryetarit aktual të Prishtinës, teksa mbante distinktiv me logon e subjektit politik që e përfaqëson.

Vetëvendosje e ka cilësuar këtë veprim si shkelje të rregullave zgjedhore dhe presion mbi votuesit, duke theksuar se “shfaqja e zyrtarëve partiakë me emblema të subjektit politik në qendrat e votimit është e ndaluar dhe bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren Zgjedhore 07/2024 të KQZ-së”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, ashtu si çdo subjekt apo palë tjetër, do duhej të ishte e shqetësuar për shkeljen e ligjit dhe të rregullores së qartë të KQZ-së. Vënia në mbrojtje të shkelësve të ligjit, e aq më shumë të zyrtarëve të saj, tregon qartë për qëllimin e këtij subjekti për presion ndaj votuesve”, thuhet në reagimin e VV-së.

Në përfundim, VV ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës për votë të lirë, si dhe në denoncimin e çdo shkeljeje që cenon integritetin e procesit zgjedhor.


13:29 – Mbi 175 mijë qytetarë kanë votuar deri tani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar linkun ku do të shfaqen të dhënat për daljen e qytetarëve në votim.

Deri tani sipas të dhënave të KQZ-së kanë votuar 175 mijë e 461 persona me të drejtë vote apo 13.33 % e qytetarëve me të drejtë vote.

Për të dhënat e daljes në zgjedhje kliko këtu.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,316,672 të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna.

Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.


13:26 – 48 vjeçari voton për herë të parë në Krushë të Madhe (VIDEO)

Mërgimtari, Abaz Zenuni, ka votuar për herë të parë në jetën e tij, e këtë të drejtë e ka ushtruar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në shkollën “Bajram Curri” në Krushë të Madhe.

Ai në një lidhje direkte në TV Dukagjini u shpreh se për shkak të rrethanave jetësore nuk ka arritur që të votojë asnjëherë në Kosovë.

Mes tjerash, mërgimtari nuk ka votuar asnjëherë as në Zvicër ku jeton dhe vepron.


12:40 – LDK dënon sjelljen e Sveçlës ndaj aktivistit: Veprim i papranueshëm dhe kërcënues

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj sjelljes së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndaj një aktivisti të LDK-së.

Nëpërmjet një reagimi, LDK-ja e ka dënuar sjelljen e Sveçles – veprim të cilin e kanë vlerësuar si të papranueshëm, arrogant dhe kërcënues, njofton Dukagjini.

Sipas LDK-së, deputeti Sveçla ka vepruar kundërligjshëm kur e ka fotografuar aktivistin e LDK-së pa pëlqimin e tij.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti tonë, i cili po qëndronte qetësisht në trotuar. Përveç tjerash ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve. Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Tutje, LDK-ja ka kërkuar nga organet përgjegjëse të sigurojnë një mjedis të qetë për të gjithë qytetarët.

“LDK-ja thekson se aktivistët tanë, anëtarët tanë dhe çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të jetoj e shprehet i lirë pa frikë, presion apo intimidim. Sjellje të tilla përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të standardeve demokratike dhe janë të papranueshme nga kushdo që ka mbajtur apo mban funksione publike. I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor. LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj respektit, kulturës demokratike dhe standardeve që e kanë ndërtuar këtë vend”, është thënë në reagim.


12:25 – Voton presidentja Osmani: Kosova ka demokracinë më të lartë elektorale në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shfrytëzuar të drejtën e saj të votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale si banore në Komunën e Prishtinës.

Osmani gjatë këtij procesi demokratik ishte e shoqëruar nga bashkëshorti i saj ka votuar në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, njofton Dukagjini.

Pas hedhjes së votës, para mediave, Osmani ka thënë se qytetarët sot vendosin për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për fëmijët, por edhe për mundësitë që janë përpara.

“Edhe sot na balotazh është ditë po qa të rëndësishme sa raundi i parë i zgjedhjeve, sot qytetarët vendosin përfundimisht jo vetëm se kush do t’i udhëheq komunat por në të njëjtën kohë për një të ardhme më të mirë. Shpresoj që secili prej qytetarëve ta shfrytëzoje të drejtën  votës”, tha Osmani.

E para e vendit gjithashtu ka theksuar se zgjedhjet lokale dhe ato nacionale janë procese të ndara, dhe do të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë.


12:23 – Ndalohen dy të dyshuar në Fushë Kosovë për dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin

Dy persona të dyshuar janë ndaluar në komunën e Fushë Kosovës, me vendim të Prokurorit të shtetit, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’’ .

Siç njofton Prokuroria, gjatë zhvillimit të hetimeve, është sekuestruar një telefon, i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore, njofton Dukagjini.

Tutje bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit.


12:02 – Konjufca pas votimit: Qytetarët të bëhen bashkëpjesëmarrës në ndërtimin e demokracisë

Mandatari i dytë për formimin e qeverisë së re, Glauk Konjufca, ka votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Prishtinë.

Konjufca, pas votimit, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëhen bashkëpjesëmarrës në ndërtimin e demokracisë, njofton Dukagjini.

“E kryem këtë obligim qytetar, më vjen mirë që sot është edhe moti i mirë dhe i ftoj të gjithë qytetarët të Kosovës që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre në të gjitha komunat ku po mbahet raundi i balotazhit, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre që të bëhet bashkëpjesëmarrës në ndërtimin e demokracisë”, tha Konjufca.

Tutje, Konjufca uroi që procesi të zhvillohet e përmbyllet pa incidente.

“Deri më tash sa e kam përcjellur këtë proces zgjedhor, gjithçka ka shkuar mirë, uroj që kështu të përmbyllet ky proces zgjedhor, uroj që të mos kemi asnjë problem, asnjë incident gjatë këtyre zgjedhjeve, e kjo më së miri i bën Kosovës”, tha Konjufca.


11:50 – Limaj pas votimit në Prishtinë: Votova aty ku besoj se është rruga e drejtë

Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në Prishtinë, në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ku garojnë kandidatët e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas votimit, Limaj tha se kjo është një mundësi e mirë për qytetarët që të zgjedhin drejtuesit e komunave për katër vitet e ardhshme.

“Edhe sot është një mundësi e mirë për qytetarët e kryeqytetit dhe të gjithë qyteteve që janë në raundin e dytë, të përzgjedhin atë që i besojnë për katër vitet e ardhshme, që i përmbush synimet dhe dëshirat e tyre. Edhe unë sot e kam kryer obligimin tim dhe votova aty ku besoj se është rruga e drejtë dhe më e mirë për të realizuar projektet, idetë dhe vizionet e kryeqytetit”, deklaroi Limaj.


11:49 – Radoniqi: Mbi 80 mijë qytetarë kanë votuar deri në 11:00 në 18 komuna

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e radhës u shpreh se rreth 80 mijë e 659 qytetarë kanë votuar deri në ora 11:00 në 18 komunat ku po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Radoniqi, mes tjerash, u shpreh se deri tani nuk është evidentuar ndonjë parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve, njofton Dukagjini.

“Bazuar në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit deri në këtë fazë po zhvillohet normalisht. Deri më tani nuk janë evidentuar parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve. KQZ është në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore në terren, me qëllim që të sigurohet zbatimi i plotë i ligjit dhe respektimi i rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit. Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 95% e Vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 në këto 18 komuna është 80 mijë e 659 votues apo 6.13%, nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues”, tha Radoniqi.

Sipas tij, deri në të njëjtën kohë, në raundin e parë, në këto 18 komuna, kishin votuar 7.58% apo 99 mijë e 765 votues nga 1 milion e 316 mijë e 129 votues.

“Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi mund t’i gjeni në platformën e rezultateve”, u shpreh Radoniqi.


11:41 – Rama pas votimit: Zgjedhjet janë të rëndësishme për gjithë shtetin, uroj të votohet për kahjen e duhur

Kryetari aktual dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe për një mandat tjetër, Përparim Rama, ka votuar për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Rama pas votimit ka uruar që të fitojë zhvillimi e progresi, njofton Dukagjini.

“Ju uroj shumë të gjithë qytetarëve për pjekurinë, maturinë që kanë treguar gjatë këtyre zgjedhjeve. Uroj që të fitoj zhvillimi, progresi e ardhmëri e ndritshme për qytetin e vendin tonë. Iu falënderoj mediave për një punë të shkëlqyeshme e na priftë e mbara”, tha Rama.

Rama, mes tjerash, deklaroi se këto zgjedhje janë të rëndësishme për gjithë vendin.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, nuk e definojnë vetëm të ardhmen e kryeqytetit, por gjithë vendit, është me rëndësi të madhe që qytetarët të votojnë kahjen e duhur për vendin tonë”, u shpreh Rama.
________________________________________________________________

11:36 – Voton Arian Tahiri: Mbrëmë pati lëvizje të dyshimta me shumë vetura, organet janë të informuara

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri ka votuar dhe i ka ftuar edhe qytetarët që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Ai në deklarimin e tij pas votimit tha se sot është një ditë e rëndësishme për Mitrovicën, përcjell Klankosova.tv.

“Mesazhi im është që është një ditë e rëndësishme për qytetarët e Mitrovicës, për qytetin e Mitrovicës, që sot bashkërisht të gjithë vendosim për qeverisjen tonë të ardhshme në katërvjeçarin e ardhshëm”

“I ftoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit dhe përmes votës ta tregojmë fuqinë dhe të vendosim për qeverisjen tonë të ardhshme në katërvjeçarin e ardhshëm”, u shpreh ai.

Tahiri gjithashtu u shpreh se mbrëmë ka pasur lëvizje të dyshimta të disa veturave në Mitrovicë.

“Në bazë të informacioneve që unë i kam, sot çdo gjë është duke shkuar në bazë të rregullave dhe normale që duhet të jetë procesi i votimit, ndërsa mbrëmë ka pasur informacione se ka pasur lëvizje të dyshimta të disa veturave, një numri të madh të veturave në qytetin e Mitrovicës, pjesa dërmuese e tyre me targa 01”.

“Organet kompetente kanë qenë të informuara e janë raportuar dhe besoj se ato e kanë bërë punën e vet dhe janë duke e bërë punën e vet në mënyrën më profesionale të mundshme”, u shpreh tutje kandidati i PDK-së.
__________________________________________________________

10:56 – Krasniqi: Qytetarët të dalin në mënyrë masive dhe të votojnë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Krasniqi pas votimit u bëri thirrje qytetarëve që në mënyrë masive të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, njofton Dukagjini.

“Sot në të gjitha komunat ku ka balotazh për kryetar të komunave, unë i ftoj qytetarët që të dalin dhe të marrin pjesë pavarësisht zgjedhjes së parë që kanë bërë. Secili prej tyre mund ta luaj një rol të rëndësishëm për t’i dhënë drejtim komunave ku jetojnë në katër vitet e ardhshme. Me shpresën që do të kemi një dalje masive dhe substancile që vërtetë do të reflektojë vullnetin e qytetarëve”.

“Uroj që edhe ky proces të shkoj me rregull sikurse rundi i parë. Ditë e mirë për Kosovën, për komunat dhe besoj që përfundimisht do të kemi një përmbyllje të një procesi që i jep drejtim katër viteve të ardhshme”, u shpreh Krasniqi.


10:45 – Abdixhiku: Sot është ditë feste, njësoj do të jetë edhe pasi të mbyllen qendrat e votimit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ushtruar të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në vend.

Abdixhiku, në një prononcim për media pas votimit, u shpreh se dita e sotme është ditë feste sic ka qenë gjithmonë dita e votimit në Kosovë dhe se do vendimmarrja i kthehet sovrani ashtu sic thotë ai se duhet të jetë gjithmonë, njofton Dukagjini.

“Sot në Kosovë, si gjithmonë, zgjedhjet trajtohen dhe janë festë. Ditë e mirë, mëngjes i mirë, dhe shpresojmë që do të jetë një proces i mbarë e i mirë, siç ka ditur gjithnjë populli i Kosovës të sillet në procese zgjedhore. Sot është dita kur vendimmarrja i kthehet qytetarit, sovranit, ashtu siç duhet të jetë gjithkund, dhe kështu vendoset fati i komunave tona për katër vitet e ardhshme”.

“Jam i lumtur për nivelin demokratik që si shoqëri e tregojmë gjithmonë në procese zgjedhore. Disa çështje i marrim si të mirëqena, por më besoni që, në standardet e Ballkanit Perëndimor, e madje edhe të Evropës, mënyra se si i organizojmë zgjedhjet, si i pranojmë rezultatet dhe si e trajtojmë procesin zgjedhor, është një mrekulli e veçantë demokratike, me të cilën populli i Kosovës duhet të krenohet”, tha Abdixhiku

————————————————————————————

09:34 – Çeku pas votimit: Cilido të jetë rezultati, uroj gjithçka të mirë për qytetarët

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka ushtruar të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Çeku, pas votimit ka bërë thirrje që të ushtrohet e drejta e votës, e ku ka uruar për një qeverisje të mirë në katër vitet e ardhshme, pavarësisht rezultatit, njofton Dukagjini.

“Pas një procesi të gjatë po e përmbyllim këtë cikël të zgjedhjeve lokale, që është detyrim për të drejtën tonë për qytetin. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, të jetë ditë e mbarë për demokracinë. Nga nesër e tutje të jenë 4 vite të mira. Cilido të jetë rezultati, uroj që qytetarët t’i pres gjithçka e mirë”, deklaroi Çeku.

_____________________________________________________________

09:29 – Hoxha: Procesi zgjedhor po monitorohet nga Policia, nuk ka asnjë incident deri tani

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se procesi zgjedhor është duke vazhduar pa asnjë incident deri më tani.

Hoxha, në një linjë direkte në TV Dukagjini, u shpreh se plani operativ policor ka nisur që nga ora 03:00 e mëngjesit dhe i gjithë procesi po monitorohet nga Policia e Kosovës.

“Dita ka nisur shumë mirë, Policia e Kosovës është përgatit për ditën e votimit për balotazh për kryetarë komunasah dhe operacioni policor ka nisur që nga ora 03:00 dhe dhomat komanduese janë hapur në të gjitha regjionet e Kosovës.  Nga informacionet që kemi pranuar nga qendrat tona operative nuk është raportuar asnjë problem, ka pasur disa probleme teknike me energjinë elektiker në Viti ndërsa probleme tjera nuk janë raportuar në asnjë komunë – urojmë që kështu të vazhdojë i gjithë procesi”, u shpreh Hoxha.

Hoxha, mes tjerash, u shpreh se mobilizimi policor është i njëjtë sikur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 12 tetor.

“Masat janë të njëjta sikur edhe në raundin e parë, materiali zgjedhor është dorëzuar me përcjellje të policisë e njësoj edhe në mbarim të votimit – secila qendër e votimit ka policë dhe janë marrë të gjitha masat që në mënyrë të rregullt të vazhdojë i gjithë procesi”, tha Hoxha.

_____________________________________________________________

09:19 – 54 të dënuar nga komuna të ndryshme votojnë nga burgu i Smrekonicës

54 të dënuar në burgun e Smrekonicës kanë të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në vend.

Drejtori i kësaj Qendre Korrektuese, Avni Miftari, deklaroi se votimi me ekipet mobile ka nisur me kohë si në të gjitha qendrat e tjera të votimit në vend, njofton Dukagjini.

Miftari në një lidhje direkt me gazetaren Doruntina Bylykbashi, bëri të ditur se deri tani 12 të dënuar kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës

“Procesi ka vazhduar me rregull, ekipi mobil ka ardhur me kohë dhe ka nisur kohë dhe në rregull. Ka votues nga komuna në ndryshme në këtë raund të zgjedhjeve ka 54 të dënuar nga komuna të ndryshme që mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës brenda qendrës korrektuese. 12 nga 54 kanë votuar dhe kanë vullnet që të votojnë. Të burgosurve u është mundësuar që të shohin kandidatët dhe të jenë në një linjë me zhvillimet politike që të kenë të qartë kë të votojnë”, tha Mifari.


08:50 – Kurti pas votimit: Gjatë fushatës kam punuar me tri ndërrime 

Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Kurti ka votuar në Universitetin e Prishtinës, konkretisht në Fakultetin Juridik, njofton Dukagjini.

Në një prononcim për media pas votimit, Kurti ftoi të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit teksa u shpreh se qytetarët duhet të jenë pjesëmarrës e vendimmarrës për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.

“Sot është e diel, të gjithë jemi zgjuar herët. Është ditë e mirë për demokracinë e vullnetin e mirë. Kosova mban zgjedhjet në raundin e dytë për balotazh në 18 komuna. Unë porsa votova këtu në Prishtinë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve ta shfrytëzojnë e të bëhen vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe për katërvjeçarin në vijim. Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë, edhe KQZ-ja ka bërë përgatitjet, komisionerët e vëzhguesit ndodhen në qendra të votimit”, u shpreh Kurti.

Kryeministri në detyrë, mes tjerash, u shpreh se gjatë kësaj fushate ka punuar në tri ndërrime.

“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri ndërrime, pra anë e mban komunave të Kosovës, dhe jam përpjekur të vëzhgojë, zgjedhjet komunale janë jo më pak të rëndësishme se ato parlamentare”, tha Kurti.


08:46 – Voton kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Kurti ka votuar në Universitetin e Prishtinës, konkretisht në Fakultetin Juridik, njofton Dukagjini.


08:43 – Rreth 80 prokurorë angazhohen për balotazh

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që po mbahen të dielën, janë bërë të gjitha përgatitjet për mbrojtjen e votës dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale, njofton Dukagjini.

“Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve. Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ” thuhet në njoftim.

Tutje, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.


08:06 – Elezi: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë.

Në konferencën e parë të KQZ-së për ditën e balotazhit, Elezi bëri të ditur se procesi i votimit ka nisur me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit, njofton Dukagjini.

“Gjatë ditës së sotme, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht”, u shpreh Elezi.

Tutje, Elezi u shpreh se qendrat e votimit me kusht janë hapur me kohë në të gjitha komunat e balotazhit.

“Sa i përket qendrave të votimit me kusht, nga një është në çdo komunë të vendit, të gjitha janë hapur me kohë, raportimet të cilat i kemi pranuar përfshinë njoftimet për çdo qendër të votimit”, tha Elezi.

Kujtojmë se përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.

Balotazhi do të mbahet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.


07:37 – Fillon procesi i votimit në Gjilan

Gazetarja Dea Dedinca, nga qendra më e madhe e votimit në Komunën e Gjilanit, ka raportuar për ecurinë e procesit zgjedhor, duke bërë të ditur se në këtë komunë janë hapur gjithsej 37 qendra votimi.

Dedinca tha se, ndryshe nga proceset e kaluara, në këtë qendër nuk është parë asnjë person që orientohet votuesit për klasën apo vendin ku duhet të votojnë, gjë që zakonisht ndihmon në lehtësimin e procesit.

Po ashtu, ajo vuri në dukje se në këtë qendër nuk është prezent asnjë zyrtar i Policisë së Kosovës, ndonëse në qendrat e tjera ku ka bërë vëzhgime, prania policore ka qenë e garantuar.

“Materiali i votimit ka arritur me kohë,” tha Dedinca, duke shtuar se në këtë qendër pritet të votojnë mbi 13 mijë qytetarë të komunës së Gjilanit.

Procesi deri më tani është raportuar i qetë dhe pa incidente.


07:23 – Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi: Të respektohen rregullat dhe ligjet për një proces të qetë votimi

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhor (KQZ), pas votimit të tij në Pejë, është prononcuar për media, duke bërë thirrje që qytetarët të dalin në votime dhe të respektojnë rregullat e procesit zgjedhor.

“Bëj apel që të respektohen rregullat dhe ligji i KQZ-së dhe rendi. Dua të ftoj edhe anëtarët e vendvotimeve që të respektojnë rregullat, në mënyrë që gjithë procesi të shkojë pa asnjë problem. Uroj që të kemi një ditë të mirë dhe të qetë,” tha Radoniqi.

Ai foli edhe për votimin me asistencë, duke theksuar se KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe ka përgatitur manuale e trajnime për anëtarët e këshillave të vendvotimeve.

“Sa i përket votimit me asistencë, KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat dhe procedurat përkatëse, dhe gjithçka është theksuar në manualet dhe trajnimet tona. Se çfarë ndodh në realitet ditën e zgjedhjeve nëpër vendvotime, mbetet në administrimin e KQZ-së dhe të vet këshillave të vendvotimeve,” u shpreh ai.

Radoniqi shtoi se në disa vendvotime në raundin e parë, votimi me asistencë ka qenë i theksuar dhe shpesh i pajustifikuar.
“Ne e kemi bërë të qartë se në disa vende votimi me asistencë ka qenë shumë i theksuar dhe në disa raste arsyetimet nuk kanë qenë të duhura në librat e votimit. Për këtë arsye kemi ngritur shqetësimin dhe shpresojmë që tash, sot, këshillat e vendvotimeve do të kenë më shumë kujdes. Jo secili ka të drejtë të votojë me asistencë, por vetëm personat në nevojë. Shpresojmë që kjo çështje të respektohet,” tha Radoniqi.

Sa i përket votave me postë, kryetari i KQZ-së theksoi se ato pritet të arrijnë fizikisht në Kosovë gjatë javës së ardhshme.
“Varësisht prej cilit shtet nisen, por ne do t’i marrim ato të hënën. Rreth 28 mijë votues kanë aplikuar, por ende nuk e dimë sa vota janë dorëzuar, pasi ato nuk janë tërhequr ende,” deklaroi Radoniqi.


06:58 – Mitrovica e Jugut: Faton Peci dhe Arian Tahiri në garë sot për raundin e dytë të zgjedhjeve

Në Mitrovicën e Jugut sot, më 9 nëntor, qytetarët po votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, ku përballen Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Sipas rezultateve të raundit të parë, Mitrovica e Jugut regjistroi një pjesëmarrje prej 39.28%, nga 85.883 votues të regjistruar në listat zgjedhore. Në total 33.732 qytetarë votuan, prej tyre 32.834 në vendvotime të rregullta dhe 898 me kushte apo me postë.

Nga këto vota, 33.018 rezultuan të vlefshme, 708 të pavlefshme ose të zbrazëta, ndërsa 69 fletëvotime u raportuan si të dëmtuara.

Në rezultatet përfundimtare të raundit të parë, Faton Peci (Lëvizja Vetëvendosje) kryesoi me 15.830 vota (47.94%), duke lënë shumë pranë Arian Tahirin (PDK) me 15.708 vota (47.57%). Pas tyre u renditën Gëzim Plakolli (LDK) me 1.225 vota (3.71%) dhe Qazim Nimani (AAK) me 255 vota (0.77%).

Me një diferencë minimale prej vetëm 122 votash, gara për kryetarin e Mitrovicës së Jugut konsiderohet ndër më të ngushtat në Kosovë, ndërsa sot qytetarët e kësaj komune pritet të vendosin përfundimisht se kush do ta drejtojë qytetin në mandatin e ri katërvjeçar.

Nga Mitrovica e Jugut ka raportuar gazetarja Dorentina Bylykbashi e cila ka dhënë statistikat dhe ka treguar për përgatitjen e kQZ-s që procesi i rregullt votues të filloj në ora 7:00.

Ajo gjithashtu ka treguar se gara është e ngushtë dhe fushata ka qenë e “nxehtë”.


06:49 – Prishtina zgjedh sot mes Përparim Ramës dhe Hajrulla Çekut në raundin e dytë të zgjedhjeve

Prishtina do të jetë ndër 18 komunat ku sot më 9 nëntor do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët do të zgjedhin mes Përparim Ramës nga LDK-ja dhe Hajrulla Çekut nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të dy kandidatët kanë marrë më së shumti vota edhe pas procesit të rinumërimit për kryeqytetin, duke konfirmuar garën e ngushtë mes tyre.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, Përparim Rama ka marrë 165 vota ose 34.59%, ndërsa Hajrulla Çeku 140 vota ose 29.35%. Pas tyre renditet kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, me 18 vota ose 29.14%, ndërsa Bekë Berisha i AAK-së ka marrë po ashtu 18 vota ose 3.77%. Kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, ka siguruar 11 vota ose 2.31%, dhe Agim Prishtina nga nisma “Prishtina në dorën tënde” ka marrë 3 vota ose 0.63%.

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, Përparim Rama kishte fituar 35.595 vota ose 33.71%, ndërsa Hajrulla Çeku kishte marrë 35.077 vota ose 33.21%, duke e bërë garën për Prishtinën një nga më të ngushtat në vend.

Nga Prishtina gazetari i RTV Dukagjinit Fatlum Jashari në një linjë direkte nga qendra e votimit te Fakulteti Filologjik ka folur për përgatitjet e bëra nga KQZ para fillimit të procesit zgjedhor. Ai ka thënë se sipas KQZ të gjitha parapërgatitjen janë bërë për të filluar procesi i rregullt i votimit që në orën 7: 00 të mengjesit.


06:30 – Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale: Kosova vendos për kryetarët në 18 komuna më 9 nëntor

Më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë do të rikthehen në qendrat e votimit të dielën, më 9 nëntor, për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave të tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në këtë proces janë ftuar të marrin pjesë 1 milion e 316 mijë e 672 votues në gjithsej 18 komuna, nga mbi dy milionë sa kishin të drejtë vote në rundin e parë.

Për këtë qëllim, do të hapen 507 Qendra të Votimit me gjithsej 1.628 vendvotime, ku qytetarët do të mund të votojnë nga ora 07:00 deri në 19:00.

Balotazhi do të mbahet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

KQZ ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të kontribuojnë për një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe demokratik në të gjitha komunat ku zhvillohet gara për kryetarë.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika