Real Madrid do të zbresë sonte në fushë nga ora 21:00 në Athinë përballë Olympiacos-it në Ligën e Kampionëve, në një ndeshje ku pritet një formacion krejtësisht i ri nga trajneri Xabi Alonso.
Për herë të parë këtë sezon, ai do të braktisë skemën e zakonshme që nis nga Thibaut Courtois në portë dhe përfundon te trioja Mbappe–Vinicius Jr.–Bellingham në fazën sulmuese.
Courtois nuk ka udhëtuar me ekipin për shkak të një infeksioni në stomak, duke lënë Madridin pa portierin titullar dhe liderin e mbrojtjes. Belgjiani ka luajtur çdo minutë të sezonit deri më tani, ndaj mungesa e tij konsiderohet goditje e rëndë. Në këtë situatë, Andriy Lunin pritet të marrë startin e parë të sezonit.
Problemi më i madh i Alonso-s është qendra e mbrojtjes. Me shumë mungesa – Carvajal, Militão, Alaba, Rüdiger, Huijsen dhe Mastantuono – tekniku spanjoll ka vetëm Raúl Asencion si qendërmbrojtës natyral.
Dilema kryesore është kush do të luajë përkrah tij, Carreras, apo një zhvendosje taktike ku Aurélien Tchouameni kthehet në mbrojtje, sipas modelit “Ancelotti”.
Vendimi për Tchouameni-n do të përcaktojë gjithë formacionin. Nëse francezi aktivizohet në mesfushë, pritet një mesoradhe me Valverde dhe Brahim Díaz, ndërsa krahët e mbrojtjes do t’i mbulojnë Trent Alexander-Arnold dhe Fran García. Nëse zhvendoset në mbrojtje, atëherë hapet vend për Brahim dhe Güler që të startojnë së bashku.
Në repartin ofensiv, nuk priten ndryshime, Mbappe, Vinicius Jr. dhe Jude Bellingham janë të gatshëm dhe pritet të jenë pjesë e XI-shes së parë.
Për Real Madrid-in, ndeshja e sotme është edhe një test para duelit gjigant me Manchester City-n më 10 dhjetor në “Bernabéu”.