Real Madrid ka fituar me rezultat 3:2 ndaj Atletico Madrid në derbin e madh të Madridit, të zhvilluar të dielën mbrëma në kuadër të La Liga.
Hero i ndeshjes ishte Vinicius Junior, i cili realizoi dy gola dhe i dha fitoren “Los Blancos”.
Ndeshja nisi me dominim të Realit, por ishin mysafirët që kaluan të parët në epërsi. Në minutën e 33-të, Ademola Lookman shënoi për 0:1 pas një aksioni të bukur.
Në pjesën e dytë, Reali reagoi shpejt. Fillimisht, në minutën e 52-të, Vinicius barazoi nga penalltia, ndërsa vetëm tre minuta më vonë, Federico Valverde përmbysi rezultatin në 2:1.
Atletico nuk u dorëzua dhe barazoi në minutën e 66-të me golin e Nahuel Molina për 2:2. Megjithatë, reagimi i Realit ishte i menjëhershëm, pasi Vinicius realizoi golin e dytë personal për 3:2, që doli të jetë rezultati përfundimtar.
Deri në fund, ndeshja u tensionua edhe më shumë. Në minutën e 77-të, Valverde u ndëshkua me karton të kuq, vendim që shkaktoi protesta të shumta nga lojtarët dhe stafi i Realit, të cilët e konsideruan të padrejtë.
Me këtë fitore, Real Madridi ngjitet në kuotën e 69 pikëve në vendin e dytë, duke mbetur katër pikë prapa Barcelonës, pas 29 xhirosh në La Liga.