Refuzohet kërkesa e Dodikut nga Gjykata e Strasburgut për pezullim të vendimin mbi pozicionin e presidentit të RS-së

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg i ka konfirmuar Radio Evropa e Lirë më 10 prill se ka refuzuar kërkesën e ekipit juridik të Milorad Dodikut për vendosjen e një mase të përkohshme.

Me këtë masë kërkohej ndalimi i zbatimit të vendimeve gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë, në bazë të të cilave atij i është marrë mandati i presidentit të entitetit Republika Srpska.

Në përgjigjen për REL-in thuhet se kërkesa për masë të përkohshme, në përputhje me Rregullin 39 të Gjykatës, është shqyrtuar dhe është refuzuar, pa ndonjë deklarim shtesë për përmbajtjen e saj.

Milorad Dodik është dënuar vitin e kaluar me vendim të formës së prerë me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë. Gjykata ka konstatuar se Dodik, si president i atëhershëm i RS, me vetëdije ka nënshkruar dhe zbatuar ligje të cilat më parë ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

Ankesa e Milorad Dodikut kundër Bosnje dhe Hercegovinës është paraqitur në janar të vitit 2026, pas së cilës është kërkuar edhe vendosja e masës së përkohshme.

Përfaqësuesi ligjor i Dodikut, Goran Bubić, nuk ka dashur të komentojë vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për Radio Evropa e Lirë.

Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së agjentes së Bosnje dhe Hercegovinës pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Monika Mijić, ka konfirmuar për RSE se Bosnja dhe Hercegovina në këtë moment ende nuk e ka pranuar lëndën nga Gjykata në Strasburg.

Vendimi për masën e përkohshme nuk paragjykon rezultatin e apelit të Dodikut, për të cilin Gjykata në Strasburg do të vendosë eventualisht në fazat e ardhshme të procedurës, pasi lënda t’i dorëzohet edhe Bosnje dhe Hercegovinës dhe pasi të deklarohen të gjitha palët në procedurë.

Nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk kanë sqaruar për RSE në cilën fazë ndodhet aktualisht apeli i Dodikut.

Takimi i fundit i Dodikut dhe Putinit në Soçi, Rusi, 2 tetor 2025.

Çfarë është Rregulli 39 i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut?

Masat e përkohshme në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut mund të kërkohen në bazë të Rregullit 39 të Rregullores së Gjykatës.

Bëhet fjalë për një mekanizëm të jashtëzakonshëm që zbatohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur ekziston rrezik i menjëhershëm dhe serioz i dëmit të pariparueshëm ndaj ndonjë të drejte të mbrojtur nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas sqarimeve zyrtare të Gjykatës të dërguara për RSE, masat e përkohshme më së shpeshti vendosen në rastet që kanë të bëjnë me deportime, ekstradime ose situata të tjera në të cilat kërkuesi mund të ekspozohet ndaj rrezikut për jetën ose trajtim çnjerëzor dhe poshtërues.

Gjykata shumë rrallë e zbaton Rregullin 39, ndërsa vendimet për masat e përkohshme merren pa paragjykuar vendimin e mëvonshëm për pranueshmërinë ose meritat e rastit.

Në praktikën e deritanishme, Gjykata Evropiane ka theksuar disa herë se Rregulli 39 nuk është i destinuar për ndalimin e zbatimit të vendimeve të rregullta gjyqësore apo vendimeve politike-institucionale, përveç në situata të jashtëzakonshme.

Për çfarë është dënuar Milorad Dodik me vendim të formës së prerë?

Milorad Dodik është dënuar vitin e kaluar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në bazë të këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje dhe Hercegovinës më 6 gusht 2025 ka marrë vendim për ndërprerjen e mandatit të Dodikut si president i Republikës Srpska.

Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës më 18 gusht 2025 ka refuzuar ankesën e avokatëve të tij, duke e bërë vendimin e KQZ-së përfundimtar dhe të ekzekutueshëm.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës në nëntor ka refuzuar apelin e Dodikut ndaj vendimit të dhënë dhe ka sqaruar se mandati i tij si president i Republikës Srpska ka përfunduar më 12 qershor 2025, ditën e hyrjes në fuqi të vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Gjithashtu është sqaruar se pas kësaj date ai nuk ka pasur më autorizim kushtetues për të ushtruar funksionin e presidentit.

Të fundit nga rubrika