Refuzohet kërkesa e Salih Zybës për përjashtimin e prokurorit nga lënda për gazin lotsjellës

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi ka refuzuar kërkesën e Salih Zybës për përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi nga lënda për gazin lotsjellës në Kuvend.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Po e konfirmoj se nga ana e Prokurorisë është refuzuar kërkesa e Salih Zybës për përjashtinin e prokurorit”, tha Shala.

Në këtë rast, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës, bashkë me Zybën akuzohen ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetja Fitore Pacolli-Dalipi dhe ish-deputetja Drita Millaku.

Ndryshe, në seancën e 16 janarit 2026, i akuzuari Zyba ngriti dyshime për konflikt interesi të prokurorit, duke theksuar se ai mund të ketë lidhje familjare me ish-sekretarin e Kuvendit, dhe kërkoi verifikimin e kësaj lidhjeje, si dhe përjashtimin e prokurorit për shkak të ndikimit të mundshëm dhe joprofesionalizmit.

Po ashtu, në seancën e 16 janarit 2026, Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj Xhelal Sveçlës, i cili mungoi në seancë, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Ndryshed në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

Të fundit nga rubrika