Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar probleme të shumta në disa qarqe të Shqipërisë, duke shkaktuar rritje të prurjeve të lumenjve, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet më e rënduar në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.
Në Qarkun Durrës janë kontrolluar gjithsej 5 477 banesa, prej të cilave në 1 711 raste janë evidentuar dëme. Si pasojë, janë evakuuar 851 persona, kryesisht nga zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Autoritetet po vijojnë punën për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve.
Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka shënuar rënie, ndërsa forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë funksionuar me kapacitet të plotë, përjashtuar hidrovorin e Gocajve për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Lumi Drin vijon rënien e nivelit, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.
Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte të përmbytura. Ndërkohë, në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Në terren janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, në koordinim me Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente. Burimi: Euronews Albania.