Rikthehen reduktimet e energjisë, Azemi i LDK-së akuzon për keqmenaxhim dhe kapje të sektorit

Rikthimi i reduktimeve të energjisë elektrike është dëshmi e qartë e menaxhimit skandaloz të sektorit të energjisë në Kosovë, ka deklaruar sot në një konferencë për media Visar Azemi i LDK-së.

Sipas tij, Qeveria aktuale nuk ka investuar asnjë cent në shtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ndërkohë që ka shpenzuar mbi 1 miliard euro për import të energjisë elektrike.

Azemi theksoi se kjo situatë ka vetëm dy shpjegime të mundshme: ose kemi të bëjmë me paaftësi dhe keqmenaxhim të plotë, ose me kapje të sektorit energjetik dhe hajni të organizuar nga ajo që ai e quajti “mafia energjetike”, ku përmendi emra konkretë.

“Për të ardhur në këtë situatë absurde, ka vetëm dy shpjegime të mundshme: ose kemi të bëjmë me paaftësi dhe keqmenaxhim të plotë në qeverisje, ose kemi të bëjmë me kapje të sektorit energjetik dhe hajnisë të organizuar nga mafia energjetike, ku përfshihen Martin Berishaj e Vuk Hamoviqi. Të shpenzohen 1 miliard euro nga paratë e qytetarëve për import të energjisë, dhe të mos investohet asnjë euro në kapacitete të reja prodhuese që do t’i shërbenin gjeneratave të ardhshme, është veprim i dëmshëm dhe i papërgjegjshëm ndaj së ardhmes së Kosovës. Sot, këta njerëz po e lënë Kosovën në terr. Me një njoftim të thjeshtë në rrjete sociale, qytetarëve u thuhet se reduktimet po rikthehen – sikur të ishte fjala për një çështje të parëndësishme, e jo për një problem që prek drejtpërdrejt jetën, shëndetin dhe ekonominë e vendit”, tha ai.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si institucionet po e komunikojnë rikthimin e reduktimeve, duke e cilësuar si të papranueshme që një çështje kaq serioze të trajtohet me njoftime të thjeshta në rrjete sociale, ndonëse prek drejtpërdrejt jetën, shëndetin dhe ekonominë e qytetarëve.

Në konferencë u kritikuan edhe emërimet partiake dhe familjare në institucionet energjetike. Azemi përmendi si shembull emërimin e nipit të deputetit të Vetëvendosjes, Ejup Maqedonci, në pozitë drejtuese në KOSTT, duke e cilësuar këtë si dëshmi të kapjes së plotë të sektorit energjetik.

“Ata që dikur thoshin se familjarët i kanë “vetëm për dasma”, sot pothuajse në çdo emërim që bëjnë, po i shndërrojnë institucionet në strehë për emërime partiake dhe familjare. Emërimi i nipit të deputetit të Vetëvendosjes Ejup Maqedoncit për drejtor në KOSTT-it, flet më së miri për kapjen e institucioneve energjetike në vend. Kjo është hallka e fundit në sektorin e energjisë që tashmë ka rënë komplet në duar të pushtetit. Sa për dijeni, ky që sot është emëruar drejtor i KOSTT është bashkëpronar i një kompanie private të energjisë. Çka i bie kjo…Ndërkohë që vëllezër, motra dhe të afërm emërohen në pozita drejtuese, fëmijët në shkollat e Kosovës mbesin pa rrymë dhe u ndërpritet mësimi, institucionet shëndetësore, spitalet dhe shtëpitë e shëndetit, përballen me reduktime, e administrata shtetërore bëhet jofunksionale. Në disa prej këtyre institucioneve mungon edhe ngrohja, duke krijuar kushte të vështira për punonjësit dhe qytetarët, dhe duke cenuar ofrimin normal të shërbimeve publike”, deklaroi ai.

Ndërkohë, sipas Azemit, pasojat e këtij keqmenaxhimi po i vuajnë qytetarët.

Për këtë gjendje, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga institucionet e drejtësisë që të nisin hetime të menjëhershme për keqmenaxhimin e sektorit të energjisë. Po ashtu, me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, LDK do të kërkojë hetim parlamentar, auditim të pavarur dhe të plotë të shitblerjeve të energjisë, si dhe departizimin e institucioneve energjetike.

Në fund, Azemi theksoi se Kosova duhet të nisë menjëherë investime në kapacitete të reja prodhuese për të mos mbetur peng i importeve të shtrenjta dhe krizave të përsëritura, duke rikujtuar se ndërtimi i centralit me gaz mbetet zgjidhje konkrete për sigurinë energjetike dhe kombëtare të vendit./EO

Shija e redaktorit

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

BE: Kosova e 13-ta në botë për siguri strategjike, Mali...

Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më...

Të fundit nga rubrika