Rinisin takimet për çështjen e presidentit, asnjë rezultat nga ai Kurti-Abdixhiku

Gati dy javë pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi për çështjen e presidentit, liderët e partive politike iu janë rikthyer takimeve.

Për dy orë rresht, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti e kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, kanë qëndruar në takim brenda Kuvendit, por që në fund u thirrën në konfidencialitetin e takimit, duke mos shpalosur shumë detaje.

Kryeministri vlerësoi se takimi shkoi në atmosferë konstruktive dhe dashamirëse, ndonëse nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret.

“Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do mund të e arrijmë një marrëveshje politike por këtë nuk mund ta them që e kemi sot vecse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që ti shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje e re në anën tjetër më bënë optimist për këto tri javët e mbetura që urojë të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo nganjëherë sic po bëhet në institucionet e tona orën e fundit”, ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se do të vazhdojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, por nuk u përgjigj nëse ende qëndrojnë pas kandidaturave që kanë propozuar më herët.

“Ndërkohë që ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë, por është sfidë tejet gjigante që një parti t’i ketë 80 deputetë dhe ta zgjedhë vetë edhe presidentin. Ju e dini që jemi përpjekur edhe më herët dhe që kandidati ynë Glauk Konjufca është zyrtarizuar më pak se 30 orë para mesanatës së 5 dhe 6 marsit e po ashtu edhe kundërkandidatja e tij Fatmir Mulhaxha-Kolçaku u zyrtarizua. Kemi bërë përzgjedhje të detyruar, në ndërkohë kur nuk nxirrte askush një kandidat”, ka shtuar Kurti.

E Abdixhiku tha nuk janë diskutuar emra konkret, porse e vetmja zgjidhje është marrëveshja politike.

“Çdo marrëveshje që siguron kourumin e domosdoshëm për presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës është e mirëseardhur për këtë arsye duhet diksutime me të gjitha partitë politike, por në të kundërtën cdo marrëveshje që siguron minimumin e votave të nevojshme është e mjaftueshme kushtutshmërisht, jo nuk kemi diskutuar ende emra konkret procesi është i nisur janë dy kandidatura LDK-ja vazhdon të besojë se të tri pozitat nuk duhet të i takojnë një partie politike”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka paralajmëruar takim me liderët e tjerë të partive opozitare.

“Nuk kemi ndonjë lëvizje të re ndonjë rrethanë të re politike nga ky takim i sotëm, jemi transparent me ju dhe me njëri tjetrin takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim unë do takoj edhe liderët tjerë politik edhe të PDK-së edhe të AAK-së për të kuptuar edhe pozicionet e tyre mbi këtë rrethanë”, ka shtuar Abdixhiku.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe 22 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri në vend.

Gjykata Kushtetuese, dha afat deri më 28 prill për zgjidhjen e presidentit të ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit, tash detyrën e presidentes e ushtron Albulena Haxhiu.

Të fundit nga rubrika