Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë të ditur përfundimin e mandatit të tij pesëvjeçar duke dhënë një mesazh lamtumirës nëpërmjet një video-mesazhi.
Rohde falënderoi të gjithë për pesë vjetët e mandatit të tij duke shtuar se ka parë shumë zhvillime gjatës kësaj kohe, transmeton Dukagjini.
“Liberalizimi i vizave në vitin 2024 ishte një arritje e madhe, ka gjithashtu gjëra që nuk janë realizuar, si anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Lidhjet mes vendeve tona janë unike. Siç e dini, 600 mijë kosovarë ose gjermanë me prejardhje kosovare jetojnë në Gjermani. Ky numër po rritet. Jam i sigurt se lidhjet tona do të vazhdojnë të rriten. Ne do të jemi një partner i madh i Kosovës. Kemi qenë një partner i madh që nga pavarësia”, është shprehur ambasadori.
Rohde në video-mesazh u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mirëpresin pasardhësin e tij, Rainer Rudolph, që pritet që shumë shpejt të marrë detyrën.
“Do të doja t’ju lutesha që t’ia zgjasni mirësinë dhe miqësinë tuaj edhe pasardhësit tim. Si dhe, për të qëndruar në gjuhën e futbollit, unë së shpejti do t’ia kaloj topin atij”, u shpreh Rohde.
Tutje ai u shpreh se do t’i mungojë shumë Kosova.
Thank you for five wonderful years and don't forget to keep the ball rolling.
— Ambassador Jörn Rohde (@pristina.diplo.de) 2025-09-26T07:42:39.631Z