Roth: Vuçiq s’është partner i besueshëm, në BE s’ka vend për shërbëtorët e Putinit

"Për shumë evropianë të përkushtuar dhe miq të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Vuçiq dhe regjimi i tij nuk janë më partnerë të besueshëm. Në BE nuk ka vend për shërbëtorët e Putinit”, thotë kryetari i Këshillit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth

Michael Roth

“Situata është skajshmërisht shqetësuese. Demokracia është në rrezik. Gjermania është një nga ithtarët më të fortë që shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë, të bëhen anëtare të BE-së. Por për shumë evropianë të përkushtuar dhe miq të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Vuçiq dhe regjimi i tij nuk janë më partnerë të besueshëm. Në BE nuk ka vend për shërbëtorët e Putinit”.

Kështu është shprehur në një intervistë për portalin serb “Nova” kryetari i Këshillit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, teksa është pyetur se në çfarë mënyre Gjermania, si shteti më i fuqishëm në BE, mund të ndikojë tek autoritetet serbe që të zbatojnë rekomandimin për përsëritjen e zgjedhjeve.

Sipas tij, Serbia gjatë mandatit presidencial të Vuçiqit, ka humbur gjithnjë e më shumë statusin e një demokracie, në masën e saj të plotë.

Ai thekson se parregullsitë zgjedhore konfirmuan edhe një herë këtë trend alarmant.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë në këto zgjedhje raportuan për blerjen e votave dhe përdorimin e votuesve në favor të SNS-së në pushtet. Këto janë metoda nga arsenali i sundimtarit autokrat – e jo të një presidenti që është i përkushtuar ndaj demokracisë dhe sundimit të së drejtës dhe që dëshiron ta çojë vendin e vet në BE. Mirëpo, Vuçiq nuk kërcënon vetëm paqen e brendshme në Serbi, ai është edhe dikush që shkakton probleme të vazhdueshme në rajon. Kujtoni vetëm precedentin me dislokimin e trupave në kufirin me Kosovën, kah fundi i shtatorit 2023”, u shpreh ai.

Pos kësaj, Roth shtoi se ka përshtypjen që në Serbi presidenti Vuçiq po i merr kritikat në mënyrë konstruktive.

“Në vend të kësaj, ai përhap teori konspirative, reagon ashpër dhe përpiqet të frikësojë ata që marrin pjesë në protestat e opozitës dhe të shoqërisë civile”, shtoi ai.

Roth shprehet mirënjohës që Ministria gjermane e Punëve të Jashtme reagoi shumë herët dhe shumë qartë në lidhje me parregullsitë në zgjedhje në Serbi.

“Theksuan se frikësimi i votuesve dhe blerja e votave janë “të papranueshme” për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Për mua, i vetmi përfundim që mund të nxirret nga kjo analizë e saktë është se zgjedhjet duhet të rishikohen dhe, nëse pohimet vërtetohen, të anulohen dhe të përsëriten. Këtë kritikë e mbështetet një shumicë e madhe në Bundestag, duke përfshirë edhe opozitën demokratike”, tha ai.

Teksa pyetet se si i komenton “akuzat”, e shpeshta se Gjermania po përzihet në punët e brendshme të Serbisë, Roth thotë se në BE më nuk vlen parimi klasik i mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera.

“Përkundrazi: ekziston edhe detyrim për ndërhyrje”, tha ai.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika