Dy shtetas gjermanë kanë humbur jetën, ndërsa një i tretë ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Përgjithshëm të Elche-s, si pasojë e një rrahjeje jashtëzakonisht të dhunshme që ndodhi të hënën në mbrëmje në lagjen La Marina, pranë plazhit El Pinet, kanë bërë të ditur autoritetet spanjolle.
Sipas Guardia Civil, incidenti ka ndodhur brenda një banese të madhe në zonën e urbanizimit La Marina, ku viktimat dyshohet se janë sulmuar me shkopinj dhe sende të forta. Dy prej tyre kanë pësuar plagë fatale, ndërsa i treti ka mbetur rëndë i plagosur. Të tre janë shtetas gjermanë.
Autoritetet janë njoftuar rreth orës 18:00 nga një fqinj, i cili pa persona që po përpiqeshin të ngarkonin dy trupa në bagazhin e një automjeti në shtegun Camí del Molar. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku ka gjetur dy persona pa shenja jete dhe një tjetër në gjendje të rëndë.
Më pas, Guardia Civil ka rrethuar një banesë në një zonë të izoluar, ku dy shtetas polakë, të dyshuar si autorë të sulmit, u barrikaduan gjatë natës. Deri në mëngjesin e së martës nuk ishin kryer arrestime. Hetuesit kanë përjashtuar pistën e një vrasjeje me pagesë, duke theksuar se mënyra e sulmit dëshmon për një akt ekstremisht të dhunshëm, ndërsa motivi mbetet ende i paqartë.
Trupat e viktimave janë dërguar në institutin mjeko-ligjor për autopsi të hënën në mbrëmje. Sipas burimeve lokale, në vendngjarje është gjetur edhe një grua e plagosur, e cila është dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhet nën arrest policor. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë.