Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Vesel Aruqi, ka ndarë një rrëfim emocional për rënien e Abaz Thaçit dhe rëndësinë jetike që kishte zona e “Rrasës së Zogut” në betejën e Koshares.
“Rënien e Abazit e kujtoj me shumë dhimbje. Ka qenë një djalë i fortë, i guximshëm, me përvojë të madhe lufte në Kroaci. Oficer i përgatitur enkas për luftë – për UÇK-në,” ka thënë Aruqi.
Ai kujton se përforcimet në atë zonë ishin të përhershme dhe të rrezikshme. “Ne e kishim pikën poshtë Koshares, dhe shpeshherë shkonim në përforcim në vendin e quajtur Rrasa e Zogut. Ishte një rrugë prej dy orësh në borë, në të ftohtë, në baltë. Kur na jepej urdhër nga komandanti i batalionit që të shkonim, e dinim se nëse binte Rrasa e Zogut – binte e gjithë Kosharja,” tregoi ai.
Gjatë rrugës për në front, shpesh takonin të plagosur. Por, ndonëse me rreziqe dhe kushte ekstreme, përpjekjet nuk ndaleshin.