Një numër i nxënësve në Pejë kanë raportuar simptoma të dyshuara për helmim, duke përfshirë marramendje, dhimbje barku, vjellje dhe dhimbje koke.
Sipas drejtorit të Arsimit në Pejë, Naser Gega, më 20 tetor disa nxënës kishin paraqitur ankesa, ndërsa dje ky numër ka arritur deri në 40.
Shtatë nxënës kërkojnë ndihmë mjekësore nën dyshimet për helmim në Pejë
Nga këta, vetëm shtatë nxënës kanë kërkuar trajtim mjekësor në ambulantën e Vitomiricës dhe më pas janë kthyer në shtëpi. Të tjerët janë përcjellë nga familjarët ose mësimdhënësit në shtëpi dhe nuk është raportuar nevoja për trajtim tjetër.
Drejtori Gega theksoi se helmimi nuk ka ndodhur brenda shkollës.
“Më datë 20 tetor ka pasur ankesa nga disa nxënës për helmim, po e them helmim në thonjëza. Dje ky numër ka qenë më i theksuar, diku deri në 40 ka shkuar numri i ankesave të nxënësve. Ankesat kanë pasur të bëjnë kryesisht me marramendje, dhimbje barku, vjellje, dhimbje koke. Prej këtyre nxënësve, vetëm shtatë kanë shkuar në ambulantën e Vitomiricës dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor dhe pas asaj kanë shkuar nëpër shtëpi. Nxënës tjerë nuk ka pasur që kanë shkuar në ambulantë. Gjashtë nxënës të tjerë janë përcjellë ose nga familjarët ose nga mësimdhënësit tek shtëpia dhe ankesa tjera nuk ka pasur sipas njohurive që i disponojmë.
E mira është që siç duket ka pasur një helmim të lehtë. Inspektorët sanitarë kanë marrë mostrat dhe pastaj mbi bazën e të gjeturave mund të dalim me konstatim. Helmimi nuk ka ndodhur në shkollë. Dyshimet janë në ato lokalet afër shkollës që shesin ushqime të shpejta apo diçka të ngjashme. Dje e kam marrë informatën dhe menjëherë i kam njoftuar organet gjegjëse që janë kompetent për këtë çështje dhe e mira është që sot nxënësit, pjesa dërrmuese i janë kthyer normalitetit, vijojnë mësimet rregullisht, janë kthyer në shkollë. Një numër i vogël mungojnë dhe shohim se si do të rrjedhë situata”, ka thënë për Dukagjinin Gega.