Banorët e një fshati të vogël zviceran janë evakuuar të gjithë, për shkak të rrezikut të një rrëshqitjeje të gurëve.
Më pak se 100 fshatarëve të Brienz-it iu dhanë vetëm 48 orë kohë për të paketuar atë që mundën dhe për të braktisur shtëpitë e tyre.
Edhe lopët qumështore u ngarkuan për t’u nisur, pasi gjeologët paralajmëruan se një rënie guri ishte e pashmangshme.
Dy milionë metra kub shkëmb po shkëputen nga mali sipër dhe një rrëshqitje guri mund të zhdukë fshatin.

Zhvillimi ka ngritur pyetje në lidhje me sigurinë e disa komuniteteve malore, pasi ngrohja globale ndryshon mjedisin alpin.
Brienz, në kantonin lindor të Graubünden, tanimë është bosh, raporton BBC.
Fshati është vlerësuar si një rrezik gjeologjik prej disa kohësh dhe është ndërtuar në tokë që ulet drejt luginës, duke bërë që majat e kishës të anojnë dhe të shfaqen çarje të mëdha në ndërtesa.
Me kalimin e minutave drejt afatit për t’u larguar, edhe lopët e Brienz-it po çoheshin në siguri.

Banorët, disa të rinj, disa të moshuar, familje, fermerë dhe çifte profesionistësh, kishin dy ditë që të braktisnin shtëpitë e tyre.
Atyre iu kërkua në fillim të kësaj jave që të evakuonin fshatin deri të premten në mbrëmje.
Rajonet alpine të Zvicrës janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ngrohjes globale – ndërsa ngrica e përhershme në male fillon të shkrihet, shkëmbi bëhet më i paqëndrueshëm.

Ky mal i veçantë ka qenë gjithmonë i paqëndrueshëm, por kohët e fundit shkëmbi po zhvendoset gjithnjë e më shpejt.
Ditët e shiut të dendur mund të sjellin dy milionë metra kub shkëmb të liruar që të rrëzohen nga mali mbi fshat, paralajmëruan shkencëtarët.