Rrëzohet kërkesa për uljen e dënimit të Haxhi Shalës

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, ka vendosur të mos e ulë dhe as modifikojë dënimin e Haxhi Shalës, pavarësisht se ai ka përmbushur kriterin kohor të vuajtjes së dy të tretave të dënimit.

Shala ishte dënuar më 4 shkurt 2025 nga Paneli Gjyqësor, pasi kishte pranuar fajësinë për pengim të personave zyrtarë dhe frikësim në procedurë penale. Ai u dënua me tre vite burgim dhe u obligua të paguante 400 euro kompensim për viktimën e pranuar në procedurë.

Më 26 qershor 2025, Shala kishte kërkuar lirim me kusht, kërkesë e cila u hodh poshtë në korrik pasi nuk kishte përmbushur ende kohën minimale të vuajtjes së dënimit.

Në tetor 2025, Regjistrari njoftoi Kryetaren se më 11 dhjetor 2025 Shala do të bëhej i kualifikuar për shqyrtim të mundësisë për modifikim të dënimit, por pa garanci për ulje automatike.

Sipas Trendafilovës, Shala nuk kishte shprehur keqardhje apo pendesë për veprat për të cilat ishte dënuar. Madje, gjatë seancës së pranimit të fajësisë, ai kishte refuzuar të përgjigjej kur paneli e pyeti drejtpërdrejt për këtë çështje.

“Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi më 11 dhjetor 2025 se dënimi i z. Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij. Për të marrë këtë vendim, Kryetarja u konsultua me gjykatësit e paneleve që kanë shqiptuar dënimin, siç parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

Kryetarja vuri në dukje konkretisht se z. Shala nuk kishte shprehur keqardhje dhe deklaroi se do ta shqyrtonte modifikimin e mundshëm të dënimit të z. Shala pas dy muajsh.

Procedurat lidhur me uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimeve, siç parashihet në nenin 51(2) të Ligjit, janë procedura individuale. Kur një person i dënuar i ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai i plotëson kriteret për shqyrtimin e uljes, modifikimit apo ndryshimit të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet apo ndryshohet”, thuhet në njoftim.

Të fundit nga rubrika