Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se reshjet e pandërprera, sidomos pas datës 14 shkurt 2026 dhe gjatë natës, kanë shkaktuar ngritje të niveleve të disa lumenjve në vend, duke rritur rrezikun për vërshime lokale, veçanërisht në Pellgun e Lepencit dhe në Moravën e Binçës.
Aktualisht lumi Lepenc në vendëmatjen hidrometeore në Hani i Elezit është në ngritje me nivel 2.93 metra, lumi Morava e Binçës në vendëmatjen në Viti është në ngritje me nivel 1.33 metra, ndërsa lumi Nerodimes në Kaçanik ka shënuar nivel 0.82 metra më 15.02.2026 ora 08:00.
Lumenjtë tjerë të vendit janë në rrjedha normale dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje, ndërsa reshjet e regjistruara arrijnë 24.8 mm në Brezovicë dhe 36.8 mm në Hani i Elezit.
Instituti bën apel për kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve dhe për ndjekje të situatës në vazhdimësi.