“Rrugës” e rikthen Kosovën në Festivalin e Cannes

Filmi “Rrugës” e rikthen Kosovën në njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në botë

Filmi “Rrugës” e rikthen Kosovën në njërin prej festivaleve më të mëdha të filmit në botë.

Është pikërisht Samir Karahoda që e përsërit një sukses si ky, pasi me “Pa Vend” shkroi histori më 2021, kur për herë të parë një film vendor u fut në garë zyrtare në Festivalin e Filmit në Cannes.

Ndërsa tani, filmi “Rrugës” konkurron për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër dhe është përzgjedhur në mesin e 4 mijë e 400 filmave nga të katër anët e botës.

Lajmin e ka bërë të ditur para pak minutash producenti i filmit, Eroll Bilibani.

Edicioni i 77-të i Festivalit të Filmit në Cannes mbahet prej 14 deri më 25 maj. Kosova, sipas njoftimit, konkurron me 10 shtete të tjera në këtë kategori.

Filmi “Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe të djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Derisa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.

“Nga 4.420 filma, ‘Rrugës’ është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të prezantohen këtë vit në konkurrencë. Kosova, Azerbajxhani, Brazili, Bullgaria, Kanadaja, Kina, Kroacia, Franca, Lituania, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara. ‘Palma e Artë’ për filmin e shkurtër do të jepet nga juria e kryesuar nga Lubna Azabal, të shtunën, më 25 maj, gjatë ceremonisë së mbylljes së Festivalit të 77-të të Kanës”, shkruhet në njoftimin e Bilibanit.

“Rrugës” është shkruar “nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre në mes të sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre”.

Në rolet kryesore paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Samir Karahoda, përveç regjisë dhe skenarit, gjithashtu ishte edhe drejtor i fotografisë. Filmin e montoi me mjeshtëri Enis Saraçi.

Është produksion i ‘SK Pictures’ me producentë Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Evropian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika