Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, ka argumentuar se Komisioni duhet t’i shqyrtojë amendamentet kushtetuese të propozuara nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas kundërshtimeve që janë ngritur nga kryetari i komisionit.
Rrustemi theksoi se sipas tij janë përmbushur tri elemente kryesore që mundësojnë shqyrtimin e këtyre amendamenteve.
“E para, pala e autorizuar që mund të propozojë amendamente që, në rastin konkret presidentja e republikës këtë autorizim, e ka me Kushtetutë. Elementi i dytë esencial, është që amendamentet para sa të votohen nga deputetët duhet t’i nënshtrohen vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese për sa i përket pakësimit të lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha Rrustemi.
Më tutje Rrustemi ka shtuar se elementi i tretë ‘është votimi i amendamenteve kushtetuese në procedurë kushtetuese në kuptimin e votës së kërkuar, në procesin e votimit të 2/3 e deputetëve dhe të procesit të votimit të dyfishtë natyrisht. Dy elementet e para procedurale, pavarësisht kohës, janë të përmbushura”.