RTK në krizë, punëtorët protestojnë për pagat

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) protestoi para hyrjes së Radio Televizionit Publik për shkak të vonesave në pagesat e punonjësve.

Përfaqësuesi i sindikatës së RTK-së, Gëzim Bimbashi, tha se nuk po protestojnë për luks apo “për rritje të pagave”, por për një të drejtë themelore.

“Sot jemi këtu jo për luks, jo për rritje pagash, por për një të drejtë themelore që na takon me ligj. Në vend se të protestojmë për përmirësimin e kushteve të punës apo rritje të pagave, ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim. Në gjithë shtetin pagat janë ngritur, të paktën kështu thuhet, por në RTK punëtorët nuk po i marrin as ato që meritojnë për punën që bëjnë çdo ditë me shumë përgjegjësi. Kjo nuk është thjesht padrejtësi, është fyerje për punën dhe dinjitetin e secilit punëtor në RTK. Ndërkohë deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre rregullisht çdo muaj pa asnjë vonesë, por për ne punëtorët që mbajmë gjallë transmetuesin publik askush nuk është kujtuar”, theksoi Bimbashi.

Naile Dema-Selmani nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkoi që urgjentisht kryeministri në detyrë të alokojë pagat e punëtorëve të RTK-së.

“AGK-ja, natyrisht, edhe pa asnjë diskutim dhe hezitim është në përkrahje dhe solidarizim me kolegët tanë në RTK. AGK ka vetëm një kërkesë sot: Asociacioni kërkon në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë që të alokojë pagat për punëtorët e RTK-së, ta bëjë njësoj si herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni financiar ndaj punonjësve medial”, deklaroi Dema-Selmani.

Bimbashi deklaroi më tej se për gjendjen e krijuar në Radio Televizionin e Kosovës përgjegjësi mbajnë qeveria, Kuvendi dhe menaxhmenti i RTK-së.

“E them qartë: për këtë situatë përgjegjësi kanë të gjithë – qeveria, Kuvendi dhe menaxhmenti i RTK-së. RTK është institucion publik, pasuri e qytetarëve të Kosovës, por sot për shkak të neglizhencës rrezikohet vetë funksionimi i saj. Pa paga, pa respekt dhe pa mbështetje, asnjë institucion nuk mund të mbijetojë”, ka thënë Bimbashi.

Ai paralajmëroi se, nëse brenda një kohe të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për grevë të përgjithshme.

“Nëse vazhdohet me heshtje dhe shpërfillje, protestat tona edhe mund të përshkallëzohen,” shtoi ai.

Në fund, Bimbashi drejtoi një pyetje ndaj skenës politike të vendit: “Çfarë jeni duke dashur të bëni me RTK? A po e lini qëllimshëm të rrënohet, apo prisni të shuhet zëri i shërbimit publik të Kosovës? E them qartë dhe fort: kjo nuk do të ndodhë me asnjë çmim. RTK do të mbrohet, dhe punëtorët e saj do ta mbrojnë me dinjitet, vendosmëri dhe me forcën e ligjit”.

Përveç kësaj, një protestë tjetër është paralajmëruar për të hënën, më 10 nëntor, para Kuvendit të Kosovës. Protestën e të hënës e kanë paralajmëruar dy sindikata të tjera të RTK-së: Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës.

Kujtojmë se në RTK ekzistojnë tri sindikata që përfaqësojnë punëtorët e transmetuesit publik: Sindikata e Pavarur e RTK-së, Shoqata Sindikale e Radio Kosovës dhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së.

Ndryshe, ditë më parë Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se përgjegjësinë për alokimin e mjeteve buxhetore për RTK-në e kishte Kuvendi i Kosovës dhe jo Qeveria. Ai theksoi se zgjidhja për pagat e punëtorëve të transmetuesit publik varej nga formimi i komisioneve parlamentare.

Murati kujtoi se tre muaj më parë Qeveria kishte ndërhyrë për të bërë një zgjidhje të përkohshme, por shtoi se një veprim i tillë nuk mund të përsëritej më.

Gjithashtu, më 29 shtator, përfaqësuesit e Bordit dhe të menaxhmentit të RTK-së zhvilluan një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, me të cilin diskutuan për funksionimin e transmetuesit publik për shkak të mosfunksionalizimit të plotë të themeluesit të saj, Kuvendit të Kosovës.

Menaxhmenti kishte theksuar mungesën e zgjidhjeve urgjente për disa çështje kyçe, përfshirë transferimin e mjeteve financiare të parapara për RTK-në, gjë që krijon rrezik real për funksionimin e pandërprerë të transmetuesit publik./RTK

Sindikata e RTK-së proteston sot për pagat

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika