Rusia intensifikon sulmet ndaj rajonit të Odesës, kërcënohet infrastruktura detare e Ukrainës

Rusia ka shtuar ndjeshëm sulmet ndaj rajonit jugor ukrainas të Odesës, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike dhe duke vënë në rrezik serioz infrastrukturën detare të vendit.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Oleksiy Kuleba, deklaroi se Moska po kryen sulme “sistematike” ndaj këtij rajoni, duke paralajmëruar se fokusi i luftës mund të jetë zhvendosur tashmë drejt Odesës.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet e përsëritura synojnë bllokimin e qasjes së Ukrainës në logjistikën detare dhe eksportet përmes detit. Ai kujtoi se më herët gjatë dhjetorit, presidenti rus Vladimir Putin kishte kërcënuar se do t’ia ndërpresë Ukrainës daljen në det, si hakmarrje për sulmet me dronë ndaj cisternave të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë në Detin e Zi.

“Flota hije” i referohet qindra tankerëve që Rusia përdor për të shmangur sanksionet perëndimore, të vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Të hënën në mbrëmje, sulmet ruse goditën infrastrukturën portuale të Odesës, duke dëmtuar edhe një anije civile, bëri të ditur guvernatori rajonal. Këto sulme janë pjesë e një vale goditjesh që prej ditësh kanë lënë mijëra qytetarë pa energji elektrike dhe kanë shkaktuar viktima.

Të dielën në mbrëmje, sulmet ndërprenë furnizimin me rrymë për rreth 120 mijë persona dhe shkaktuan zjarr në një port të madh, ku u shkatërruan dhjetëra kontejnerë me miell dhe vaj vegjetal. Javën e kaluar, një sulm me raketë balistike në portin Pivdenniy, në lindje të Odesës, la të vdekur tetë persona dhe plagosi mbi 30 të tjerë.

Një tjetër sulm më herët gjatë javës vrau një grua që udhëtonte me makinë bashkë me tre fëmijët e saj dhe ndërpreu përkohësisht urën e vetme që lidh rajonin e Odesës me Moldavinë.

Zelensky njoftoi se së shpejti do të emërohet një komandant i ri i forcave ajrore për rajonin, pas shkarkimit të Dmytro Karpenkos gjatë fundjavës.

Odesa mbetet jetike për ekonominë e Ukrainës. Është qyteti i tretë më i madh pas Kievit dhe Kharkivit dhe ka rëndësi strategjike, pasi portet në Zaporizhzhia, Kherson dhe Mykolaiv janë jashtë kontrollit të Ukrainës për shkak të pushtimit rus.

Pavarësisht luftës, Ukraina vazhdon të jetë ndër eksportuesit kryesorë botërorë të grurit dhe misrit. Që nga gushti i vitit 2023, Odesa shërben si pikënisje e një korridori të rëndësishëm eksporti, i cili ndjek brigjet e Rumanisë dhe Bullgarisë për të arritur në Turqi.

Zelensky theksoi se pa presion ndërkombëtar ndaj Rusisë, Moska nuk ka asnjë qëllim real për t’i dhënë fund agresionit. Deklaratat e tij erdhën pas përfundimit të një raundi të ri përpjekjesh diplomatike të udhëhequra nga SHBA-ja, të mbajtura në Miami.

Shtetet e Bashkuara zhvilluan takime të ndara me delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë, por pavarësisht deklaratave optimiste, nuk u shënua progres konkret drejt përfundimit të luftës që po hyn në vitin e katërt.

I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, tha se me delegacionin ukrainas kanë punuar për “harmonizimin e qëndrimeve” rreth një plani paqeje me 20 pika të propozuar nga Ukraina.

Nga ana tjetër, Kremlini u shpreh skeptik, duke deklaruar se ndryshimet e propozuara nga Ukraina dhe BE-ja nuk e rrisin mundësinë e arritjes së paqes./BBC

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika