Rusia kryen sulm masiv në Ukrainë para Krishtlindjeve, humbin jetën tre persona përfshirë një fëmijë

Rusia ka kryer një sulm “masiv” gjatë natës në disa qytete të Ukrainës, ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelensky, vetëm një ditë pasi kishte paralajmëruar për sulme të mundshme gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën tre persona kanë humbur jetën, përfshirë një fëmijë katërvjeçar. Sulmet kanë goditur gjithashtu infrastrukturën energjetike, duke lënë disa rajone pa energji elektrike.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia ka lëshuar 635 dronë dhe 38 raketa, prej të cilave 621 janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Zelensky tha se “njerëzit thjesht duan të jenë me familjet e tyre, në shtëpi dhe të sigurt” në prag të Krishtlindjeve, duke shtuar se këto sulme dërgojnë “një sinjal jashtëzakonisht të qartë për prioritetet e Rusisë”, pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme për paqe.

Ai shtoi se presidenti rus Vladimir Putin “ende nuk mund ta pranojë se duhet të ndalojë vrasjet”, duke theksuar se kjo tregon se “bota nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Rusisë”.

Më herët, Zelensky kishte paralajmëruar se është në “natyrën e Kremlinit” të kryejë “sulme masive” gjatë periudhave festive.

Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.

Autoritetet lokale në rajonin qendror të Zhytomyr-it konfirmuan vdekjen e fëmijës. Kreu rajonal, Vitaly Bunechko, tha se fëmija “u dërgua në spital, mjekët luftuan për jetën e tij, por nuk arritën ta shpëtonin”. Pesë persona të tjerë u plagosën nga i njëjti sulm.

Ndërkohë, një grua 76-vjeçare u vra dhe tre persona u plagosën pasi një shtëpi në rajonin e Kievit u godit, njoftoi shërbimi shtetëror i emergjencave i Ukrainës.

Në qytetin Khmelnytskyy, në perëndim të vendit, një 72-vjeçar humbi jetën, sipas kreut të administratës rajonale, Serhiy Tyurin.

Si pasojë e sulmeve në perëndim të Ukrainës, avionë luftarakë polakë u ngritën në ajër për siguri.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte në shënjestër “objekte të kompleksit ushtarako-industrial ukrainas dhe infrastruktura energjetike mbështetëse”, duke shtuar se të gjitha objektivat e përcaktuara ishin goditur.

Ndërkohë, Ukraina raportohet se ka goditur një fabrikë petrokimike në Stavropol, në jug të Rusisë. Video të publikuara nga mediat ruse në internet shfaqnin flakë të mëdha që ngriheshin nga zona e fabrikës.

Guvernatori i rajonit, Vladimir Vladimirov, tha se një dron ukrainas goditi fabrikën dhe shkaktoi zjarr. Sipas tij, nuk pati viktima dhe ndërtesat e banimit nuk u dëmtuan.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika