Rusia nis manovra ushtarake në Detin Baltik, në mes të tensioneve me fqinjët evropianë

Në njoftimin e së mërkurës, Rusia ka deklaruar fillimin e ushtrimeve detare të quajtura "Mburoja e Oqeanit-2023" në Detin Baltik. Kjo ndodh në një periudhë tensionesh në rritje me fqinjët evropianë, për shkak të konfliktit në Ukrainë

Luftanijet ruse duke kryer të shtëna ceremoniale gjatë paradës së përvitshme për Ditën e Marinës, në qytetin port lindor të Vladivostokut, në Rusi, më 30 korrik 2023.

Rusia ka njoftuar të mërkurën se ka nisur manovra detare në Detin Baltik, në mes të tensioneve në rritje me fqinjët e saj evropianë rreth konfliktit në Ukrainë.

Rusia mban rregullisht ushtrime detare në Detin Baltik, shpesh në kundërpërgjigje ndaj manovrave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në zonë.

Marina ruse ka luajtur një rol kyç në luftën e Moskës kundër Ukrainës, duke goditur vendin e mbështetur nga Perëndimi me raketa lundruese të lëshuara nga anijet dhe nëndetëset, përveç me armë të tjera.

“Ushtrimet detare Mburoja e Oqeanit-2023 kanë nisur në Detin Baltik”, ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes, nëpërmjet një komunikate, raporton AFP.

Rusia ka njoftuar se 30 luftanije dhe barka, si dhe 20 lundra të tjera mbështetëse do të marrin pjesë në manovra, bashkë me 6.000 ushtarakë.

Gjatë manovrave, marina ruse do të ushtrojë mbrojtjen e rrugëve detare, transportimin e trupave dhe ngarkesave ushtarake, dhe mbrojtjen e vijës bregdetare, thuhet në komunikatën e ministrisë ruse.

“Planifikohet kryerja e mbi 200 ushtrimeve luftarake, ku do të përfshihet edhe përdorimi i armëve”, kanë bërë të ditur autoritetet ruse./ REL

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika