Autoritetet në Dubai kanë arrestuar dhe ia kanë dorëzuar Rusisë një shtetas rus, i dyshuar për plagosjen e rëndë të një gjenerali të lartë të shërbimeve të inteligjencës ruse, njoftoi Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB).
Sipas FSB-së, i dyshuari është Lyubomir Korba, shtetas rus, i lindur në vitin 1960 në rajonin Ternopil të ish-Ukrainës sovjetike. Ai dyshohet se të premten ka qëlluar tre herë me armë zjarri gjeneral-lejtnantin Vladimir Alekseyev, në shkallët e pallatit ku ai banon në Moskë, rreth shtatë kilometra në veri të Kremlinit. Sulmi u krye me pistoletë Makarov të pajisur me silenciator.
FSB-ja bëri të ditur se janë identifikuar edhe dy persona të tjerë si bashkëpunëtorë: njëri është arrestuar në Moskë, ndërsa tjetri dyshohet se ka ikur në Ukrainë. Pamje televizive të publikuara nga mediat shtetërore ruse treguan momentin kur Korba, me sy të lidhur, u shoqërua nga agjentë të maskuar të FSB-së pas mbërritjes në Rusi me një avion të vogël.
Autoritetet ruse pretendojnë se Korba ishte rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ukrainase për të kryer atentatin, pretendim që Kievi e ka mohuar. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se vendi i tij nuk ka pasur asnjë lidhje me sulmin, duke sugjeruar se bëhet fjalë për përplasje të brendshme në Rusi.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e cilësoi sulmin si “akt terrorist” dhe, pa paraqitur prova, tha se synimi ishte sabotimi i bisedimeve mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së për përfundimin e luftës. Një burim i njohur me qëndrimin e autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe ka thënë se edhe ato dyshojnë për përfshirjen e Ukrainës.
Presidenti rus Vladimir Putin falënderoi publikisht presidentin e Emirateve për ndihmën në arrestimin e të dyshuarit, bëri të ditur Kremlini.
Vladimir Alekseyev, 64 vjeç, është zëvendësdrejtor i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse (GRU) dhe një nga figurat kyçe që i ka dhënë informacion presidentit Putin gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Ai njihet gjithashtu për rolin e tij në mbikëqyrjen e kompanive ushtarake private dhe për përfshirjen në negociatat me Yevgeny Prigozhin gjatë rebelimit të grupit Wagner në vitin 2023, raporton The Guardian.
Pas revoltës së Wagnerit, Alekseyev raportohej se kishte rënë në disfavor dhe ishte ndaluar përkohësisht, por në fund e kishte ruajtur postin e tij. Ai është nën sanksione nga SHBA për ndërhyrje të dyshuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 dhe nga Mbretëria e Bashkuar për lidhje me sulmin me agjent nervor në Salisbury në vitin 2018.
Autoritetet ruse kanë dhënë pak detaje për gjendjen shëndetësore të Alekseyevit, por burime pranë hetimeve thonë se ai pritet të shërohet.
Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi delegacione ruse dhe ukrainase, përfshirë shefin e drejtpërdrejtë të Alekseyevit, Igor Kostyukov, u takuan në Abu Dhabi për bisedime paqeje.
Ky atentat është parë nga analistët dhe blogerët ushtarakë rusë si një tjetër dështim i shërbimeve të sigurisë së Rusisë për të mbrojtur zyrtarët e lartë ushtarakë brenda vendit.
