Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u shpreh se nëse dikush mendon se Bashkimi Evropian, ose Evropa mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Rutte theksoi se Evropa nuk mund të mbrohet vetëm dhe se ka nevojë për shtetet e tjera.
Shefi i NATO-s gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian në Bruksel paralajmëroi vendet evropiane se do të duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 10% nëse vërtet duan të mbrohen vetëm. Sipas tij Evropa do të duhet të ndërtojnë kapacitetin e tyre bërthamor, që kushton miliarda euro.
“Në këtë skenar, do të humbisni garantuesin përfundimtar të lirisë sonë, që është ombrella bërthamore e SHBA-së. Pra, fat të mbarë”, tha ai.
Komentet erdhën pas një jave kaotike për Evropën dhe aleatët e saj perëndimorë, pasi Presidenti Donald Trump vazhdoi të shtynte përpara kërkesat e tij për pronësinë e Groenlandës nga SHBA-të, përpara se të përjashtonte publikisht përdorimin e forcës për të aneksuar ishullin Arktik gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Shefi i NATO-s vazhdoi ta lavdëronte Trumpin për ngritjen e çështjes së sigurisë në Arktik, duke pranuar se mbrojtja e tij ndaj presidentit ka të ngjarë të irritojë shumë në dhomë.
“Mendoj se ka të drejtë. Ekziston një problem me rajonin e Arktikut. Ekziston një çështje sigurie kolektive, sepse këto korridore detare po hapen dhe sepse kinezët dhe rusët janë gjithnjë e më aktivë”, tha ai./Euronews